Me banorët e Njësisë 2, kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj ndau faktin se teksa Partia Socialiste po vijon rrugëtimin e gjelbër drejt 14 Majit, partia tjetër nuk është ndjerë më që të shtunën në stadiumin “Arena Kombëtare”.
“E keni vënë re, nuk kanë bërë asgjë në tre ditët e fundit? Që kur iu dështoi stadiumi, nuk kanë dalë nga shtëpia. Duhet me i parë në sy dhe me u thënë dilni bëni ndonjë aktivitet se edhe 20 ditë fushatë kanë mbetur. Një ditë është 5% e fushatës, kurse ata kanë tre ditë pa dalë, ikur 15% e fushatës. Janë duke lëpirë plagët që lanë Saliun tek pullë aty. Dilni se na duhet të kemi debate, dilni se na duhet të takohemi me njerëzit dhe të ndajmë ndonjë ide. Por, përtej humorit, i mirëkuptoj në fakt, asnjë nga ne nuk do dilte nga shtëpia nëse do e kishim lënë udhëheqësin tek pullë vetëm në mes të stadiumit”, u shpreh ai.
Ai e cilësoi dyshen Berisha-Meta, koalicion pa emër që djegin e shkatërrojnë shtëpitë e tyre. “Mendoni se ata që djegin shtëpitë e tyre, do rregullojnë shtëpitë tona? Ata që masakrojnë njeri-tjetrin, do pajtojnë kombin tonë?”
“Ne u dhamë këtyre mundësinë të na tregojmë se çfarë i bëjnë shtëpisë së tyre. Nuk shërbejnë dot një pjatë supë, se medemek në opozitë. Nuk çojnë dot këta një kuti ushqimi se medemek në opozitë. Ka vetëm një forcë, Partia Socialiste e Shqipërisë. Një forcë di të bëjë shtet dhe qytet. Kjo është një forcë që ka emër, për tre dekada, Partia Socialiste e Shqipërisë. Kush është emri i forcës së tyre? Si quhet forca e tyre? As ata vetë nuk e dinë. Akoma vazhdojnë i thonë LSI, ndërkohë që Iliri dhe Monika thonë ‘mos, se e kemi mbyllur nipitin, e kemi mbyllur qepenin e atij dyqani. E kemi hapur me nipt tjetër’. E keni parë se çfarë ndodh në KQZ? Më dhimbset sepse nuk nuk dinë çfarë emri të vënë aty, është me një pozicion që thotë kush është kryetari i kësaj force. Nuk e vënë dot, se po të vënë emrin e Saliut është non grata dhe mërzitet Amerika, po të vënë emrin e Ilir Metës, Ilir Meta është non grata për demokratët dhe mërziten demokratët”, tha Veliaj.