Kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj, dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu zhvilluan takime me qytetarët e Njësisë 9, me të cilët diskutuan se si falë mbështetjes nga Qeveria, Bashkia e Tiranës ka mundur të transformojë pamjen e qytetit dhe investimet kanë sjellë rritje të vlerës së pronës.
“Njerëzit që takuam sot na kujtuan se sa është rritur vlera e pronës, e biznesit, sa është rritur hapësira ku ecim në trotuar, se si kanë ikur parkingjet e autobusëve që bllokonin “Zogun I” etj. Ne i harrojmë shumë shpejt ndryshimet, por këtu ka qenë e gjitha një ferrishte me kangjella. Ky Bulevard është fakt i asaj se çfarë ndodh kur bashkia dhe qeveria bashkëpunojnë dhe nuk e pengojnë njëra-tjetrën,” u shpreh Veliaj. Veliaj theksoi se vetëm në këtë zonë janë ndërtuar 5 shkolla të reja. Ai tha se këto janë ditët më të mira të Tiranës, ndaj duhet të vazhdojmë përpara.
“‘Sami Frashëri’ apo ‘Dora D’Istria’ janë vetëm dy nga shkollat. Vetëm në një segment, duke filluar nga “Mine Peza” deri te “Don Bosko”, ne kemi një pafundësi shkollash si “Hasan Vogli”, “Qazim Turdiu”, “Kristo Frashëri”, “Vaçe Zela”. Fakti që shkolla të tjera si ‘Samiu’, apo ‘Servete Maçi’ janë sot niveli më i lartë i ndërtesave shkollore, kurse spitale si QSUT-ja dhe Materniteti i Ri janë niveli më i lartë që ka pasur shëndetësia në Shqipëri, gjërat nuk janë perfekt, por padyshim janë ditët më të mira të Tiranës në punët e qeverisë dhe në punët e Bashkisë, ndaj dhe dëshira është që të vazhdojmë përpara,” deklaroi kryebashkiaku. Ai informoi edhe për disa nga projektet që planifikon Bashkia e Tiranës, sidomos në zonën e Bulevardit të Ri, e cila po merr një hov të vrullshëm, sipas tij, e ku do të vendosen një sërë objektesh të rëndësishme publike.
“Ne duam të vazhdojmë zhvillimin në drejtim të “Bulevardit të Ri”. Kjo është arsyeja pse ne bëmë garën për Pallatin e ri të Koncerteve, të Panaireve dhe të Konventave, sepse Pallati i Kongreseve sot e ka tejkaluar kapacitetin. Na duhet një hapësirë në veri të Tiranës, aty do kalojë Bashkia e re, aty kemi vendosur të çojmë Prokurorinë e Përgjithshme dhe Gjykatën e Lartë. Duke vajtur kaq shumë institucione shtetërore i japim më shumë besim edhe privatëve, që të zhvillojnë dhe qartazi duam që Tirana të balancohet. Pra, në qoftë se deri dje ka qenë kryesisht e fokusuar nga jugu, pra sheshi “Skënderbej” në drejtim të Liqenit, tani duam të jetë sheshi “Skënderbej”, Njësia 9 në drejtim të Bregut të Lumit, i cili nuk përmbytet më, përkundrazi, sot Bregu i Lumit është vendi ku do investohet më shumë, ku do kalojë autostrada, ku po bëhen lagjet e reja të tërmetit, ku do kalojë bashkia dhe shumë institucione publike,” e përfundoi Veliaj fjalën e tij. Edhe ministrja Manastirliu theksoi faktin se në këtë njësi është investuar si kurrë më parë dhe falë tyre banorët po shohin ditët e tyre më të mira.
“Mbështetja e qeverisë ka qenë absolute në të gjithë Njësinë 9, duke filluar nga kilometri “0” te sheshi “Skënderbej”, duke vijuar me “Zogun I”, duke vazhduar në “Bulevardin e Ri”, por edhe duke riorganizuar hapësira dhe duke ridimensionuar të gjithë ato zona të cilat kanë pasur shumë nevojë për t’u asfaltuar brenda një konteksti zhvillimi komunitar me parqe lojërash me biblioteka dhe gjithashtu edhe me gjelbërim. Unë dua të të falënderoj sinqerisht, sepse komuniteti i banorëve të Njësisë 9, vërtet që po sheh ditët më të mira, sepse prona e tyre është zhvilluar në saj të këtyre ndërtimeve të mëdha, por nga ana tjetër edhe për sa i përket shërbimeve që ne marrim,” u shpreh Manastirliu.