“Ne jemi një parti që punon, partia që i bashkon njerëzit”, kështu u shpreh drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës, Erion Veliaj në Rrogozhinë, teksa theksoi se gjërat e mira arrihen me punë.

“Unë besoj te aftësia jonë për të mos e përçarë shoqërinë tonë, por për ta bashkuar atë. Kjo është arma jonë më e fortë. Gjërat arrihen me zemër, me pasion, jo me inate dhe jo me dhunë. Ndaj, besoj fort se do të keni mundësinë t’i tregoni palës tjetër që detyra nuk duhet braktisur. Bashkia nuk është instrument për të bërë sherr me qeverinë. Për të gjithë ata demokratë të Rogozhinës kam një moment reflektimi dhe dua t’ju bëj një pyetje: kush na ndjek dhe është demokrat, ose i thotë vetes i djathtë dhe demokrat, a ka një shpjegim pse duhet të votojnë demokratët e Rogozhinës listën e Ilir Metës?

Të njeriut që ka luftuar më shumë të djathtën dhe të njeriut që ka shkatërruar më shumë çdo punë të Partisë Demokratike? Një njeri që është aktivizuar më shumë se kushdo tjetër për të shkatërruar të djathtën, tani ka listën e tij dhe Sali Berisha i thotë të djathtëve shkoni ‘si cjapi te kasapi’ për Ilir Metën”, tha Veliaj.

Ai ftoi çdo demokrat, që të mos bëhet “mish për top” për hallin që ka Ilir Meta për rublat ruse, e për hallin që ka Sali Berisha me Amerikën, por të bashkohet me Partinë Socialiste, me forcën më punëtore dhe me ide të qarta për të ardhmen.

“Sali Berisha ka një hall të madh dhe është në vështirësi. Ai nuk shkon dot deri në Rinas, nuk kalon dot kufirin, është non-grata nga SHBA nga Britania e Madhe. Ai është në hall. Është si ajo shprehja, kërcen nga belaja, por prej këtij halli po i thotë të gjithë demokratëve shkoni në thertore, shkoni si “cjapi tek kasapi”, tek Ilir Meta. Kjo është fyerje e madhe o shokë, o vëllezër, o motra!

Kjo është për të të fyer inteligjencën dhe të përdoresh si mish për top për hallin që ka Ilir Meta për rublat ruse, e për hallin që ka Sali Berisha me Amerikën. Ne nuk jemi këtu për të zgjidhur hallet e tyre, por për të zgjidh hallet e Rrogozhinës. Unë i kam parë sondazhet dhe fitoren tonë të thellë që presim në Rrogozhinë. I kam parë sondazhet e fitores që presim edhe në Kavajë, në Kamzë, në Vorë, e sigurisht në Tiranë.

Nuk po ju them demokratëve, bëhuni me ne, se ne jemi më të fortët dhe do fitojmë. Unë po ju them kini respekt për veten tuaj. Mos shkoni si ‘cjapi te kasapi’, të shkoni me porosi të Sali Berishës te lista e rublave të Ilir Metës sepse kjo është të fyesh një njeri që ka pasur ëndrra, ka pasur ideologji, ka pasur pasione politike. Po ju them ejani me ne, jo se ne jemi një parti më e fortë dhe më e madhe, por se jemi forca më e mirë, më patriotike, më punëtore”, përfundoi Veliaj.