Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj vijoi turin elektoral në Kavajë ku kërkoi mbështetjen për kandidatin socialist Redjan Krali. Ai tha se qytetarët e Kavajës nuk janë më ‘mish për top’, siç i ka trajtuar ndër vite Sali Berisha, e për këtë arsye ata duhet të zgjedhin në 14 maj numrin 2 me qëllim vijimin e zbatimit të projekteve.
“Kavaja nuk është ‘mish për top’, Kavaja do të eci vetëm përpara, vetëm me punë, me projekte, me Edi Ramën, me Redi Krajlin dhe Partinë Socialiste. Sot Kavaja ka 12 shkolla të reja që dallojnë nga shkollat e Tiranës, në mos janë edhe më të mira. Ka ndriçim, ka gjelbërim dhe ka pastërti, ndaj duhet të vazhdojmë të ecim përpara”, tha Veliaj. Veliaj një mesazh e pati dhe për demokratët, të cilët i ftoi që të shohin dhe të mendojnë për hallet e familjeve të tyre dhe jo për hallet e Saliut dhe Ilirit, që, sipas tij, tallen me njerëzit nga Gjiri i Lalzit.
“Saliu me Ilirin janë tek Gjiri i Lalzit tani. Janë duke u tallur me dynjanë dhe thonë: ishalla e hanë edhe kësaj here ndonjë rrenë dhe t’i përdorim “mish për top” për protesta. Nuk kanë hall çerdhet dhe kopshtet, se Saliu me Ilirin aq sa paguan stadiumin e kishin bërë një çerdhe në Kavajë, aq sa paguan stadiumin e kishin bërë një shtëpi në Kavajë për tërmetin, aq sa paguan stadiumin e kishin bërë një pako për ata që ngelën keq nga pandemia. Por, në ditën e fatkeqësisë ishte Partia Socialiste, Edi Rama dhe Redi Krali që ndërtuan shtëpitë e reja, që ndërtuan shkollat e reja, që ndërtuan çerdhet dhe kopshtet e reja.”
Ndërkohë kryebashkiaku i Kavajës, Redjan Krali premtoi ndërtimin e stadiumit si dhe të tregut të qytetit nëse fiton në 14 maj.