Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dhënë sot lajmin e mirë të hapjes së një çerdheje dhe një kopshti në Astir, si dhe dy institucioneve të tjera të arsimit parashkollor në Ndroq. Ai tha se fakti që në Astir, në zgjedhjet e fundit, PS mori mbi 60% të votave, është përgjigja më e mirë për opozitën.

“Bëhet fjalë për të hapur dy institucione për vogëlushët tanë, njëra është në Astir, në lagjen 14, do të jetë çerdhja e kopshti i parë për atë komunitet. U them edhe këtyre shokëve tanë që kemi përballë, ka një arsye pse na voton Astiri në mbi 60%, se Astiri me të drejtë thotë këta që bënë 40 shkolla bëjnë edhe 44, këta që bënë 100 rrugë bëjnë edhe 101. Ata që s’kanë prek gjë me dorë e na lanë pa rruge, pa kanalizime e pa arsim, e sigurt që nuk nxjerrin dot qimen nga qulli.

Ndërsa, çerdhja tjetër do të hapet në Ndroq, numri i fëmijëve në Astir do të jetë 326 fëmijë, në Ndroq 41,” deklaroi Veliaj në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak.