Nga Njësia 10, ku zhvilloi një takim me banorët, kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj ka kërkuar në 14 Maj edhe votën e demokratëve, të cilët sipas tij janë të papërfaqësuar.

“Pyetja për demokratët është: Kush ju përfaqëson? Si quhet? Si e ka emrin? Fillimisht, hoqën Ilir Metën, sepse dy gjëra iu dilnin të sigurta në çdo sondazh: që fiton PS dhe që njerëzit urrejnë Ilir Metën. Pastaj, pas asaj që ndodhi në stadium, pas atij turpi të madh, hoqën edhe Saliun, sepse e panë që demokratët e braktisën. Ishte rrengu më i madh që demokratët i punuan Saliut dhe për këtë bravo iu qoftë, sepse edhe tallja ka një limit. Ti nuk mund të tallesh pafund me njerëzit, ti përdorësh mish për top sa herë që ke një interes politik. Sot demokratët janë në hall! Tani kanë hequr edhe fytyrën e dhëndrit. Janë duke komunikuar vetëm me gishta. Hoqën dhe një nga gishtat, shkuan te një gisht dhe në finale do e heqin dhe atë gishtin e fundit. Janë tamam të pafytyrë, jo vetëm si metaforë, por se nuk duan të identifikohet me të keqen,” u shpreh ai.

Tirana, shtoi ai, është identifikuar qartazi me forcën progresive që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë, që është e vetmja forcë që ka treguar se bën shtet dhe qytet sa herë që i ka gjërat në dorë.

“Sot, ftesa për një demokrat është shumë e thjeshtë. Ata kanë turp nga fytyra e tyre. Ne jo vetëm që nuk kemi turp, por jemi krenar për logon tonë, për skuadrën tonë. Ata janë pa logo, nuk e shoh në asnjë vend logon e tyre. Kanë bërë një koalicion me emrin e Ilir Metës. Demokratët po detyrohen të shkojnë si cjapi te kasapi të votojnë Ilir Metën, spiunin e lagjes. Njëri ka hall se nuk shkon dot në Rinas se është non-grata, tjetri ka hall se krejt papritur i vijnë para ruse në llogari. Si ka mundësi që kjo rastësi nuk ndodh me asnjërin prej nesh?! Si ka mundësi që kur hidhet lotaria në Kremlin nuk del në një nga llogaritë tuaja bankare? Si ka mundësi që çdo muaj lotaria i bie vetëm Ilirit dhe Monikës?! E keni vënë re këtë?! Shokë, këta e kanë të qarte, këta hanë bukën e amerikanëve dhe bëjnë duvanë e sovjetikëve dhe rusëve. Po bëjnë çdo gjë për të sabotuar Shqipërinë dhe ndërkohë duan që hallet e tyre të bëhen edhe hallet tona,” vijoi kryetari i PS për Tiranën, që garon për një mandat të tretë në këto zgjedhje për postin e kryetarit të Bashkisë.

Ai u tha përzemërsisht të gjithë qytetarëve, por në veçanti atyre me bindje të djathta, që të votojnë këtë herë për familjen e tyre jo për sigla partie. “Shoh shumë që kanë ardhur sot me fëmijët e që nuk kanë vërtet hall Berishën dhe non-gratën, apo fuksin e lagjes, por kanë hall çerdhen, kopshtin, shkollën, parkun, lulet, gjelbërimin, pemët e fëmijëve. Është kaq e thjeshtë pyetja për ta: Cila është gjëja më e rëndësishme që ke në jetë, partia, apo familja? Çdo njëri normal thotë familja, se partitë shkojnë e vijnë. Pyetja e dytë për një demokrat është: Nëse prej punës që ka bërë Partia Socialiste dhe skuadra jonë, familja jote ka një çerdhe më të mirë, ka një shkollë më të mirë, ka një kopsht më të mirë, ka rrugë më të mira, është rritur më shumë vlera e pronës, pra nëse familja jote sot jeton më mirë falë punës së familjes sonë politike, ka ardhur koha që të vish me ne, të bashkohesh me ne dhe ta çojmë Tiranën përpara” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Falas tha ai premtonte vetëm Sudja, e cila po rishfaqet sot e madje jo me dy gishta, por vetëm me një gisht pasi Tiranës i nxorën gishtin e mesit.