Teksa prezantoi kandidatin e Këshillit Bashkiak, Hermes Kafexhiu, i cili përfaqëson zonën e Astirit dhe Njësinë 14 në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se i vjen mirë që skuadrës I është bashkuar edhe një gazetar dinjitoz. Ai preku edhe çështjen e gjobave që portale të ndryshme vendosin për përfitime personale të pronarëve të tyre.
“Më vjen mirë që një gazetar i bashkohet skuadrës sonë, në një kohë kur kemi një debat mbi çfarë quhet media. Anonimati i një gazetari është ndryshe nga anonimati i pronarit të medias. Gazetari mund të shkruajë në anonimi, gazetari mund të ketë mendimet e tij sepse në demokraci biem dakord që të mos biem dakord. Por, në demokraci nuk biem dakord që të vësh gjoba dhe të bësh shantazh. Të fshihesh si pronar anonim dhe t’i kërkosh të tjerëve pagesë që të mos sulmosh një kompani supermarketesh, një kompani celularësh, një linjë autobusësh apo një politikan dhe të kërkosh pagesë mujore prej tyre, kjo është gjobë dhe kjo dënohet me ligj.
Ndaj, në emër të të gjithë gazetarëve dinjtitozë, jam i lumtur që Hermesi është me skuadrën tonë. Unë besoj se në fushën e gazetarisë shumica janë të drejtë, janë të mirë dhe profesionistë, dhe një pakicë e vogël nuk mund të shëmtojë të gjithë industrinë dhe komunitetin e gazetarëve”, u shpreh Veliaj.