Kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj, gjatë takimit me banorët e Njësisë 7 në kryeqytet, tha se është turp të jesh detergjenti për të larë fytyrën që nuk mund të lahet e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Sipas Veliajt, mos pasja e diplomës së shkollës së mesme për një nga kandidatët është e rëndë, por më e rëndë është të shërbesh si sapun për Berishën dhe Metën.
“Disa prej tyre nxjerrin edhe gishtin e mesit, kur kërkojnë të votohen nga populli. Turp i madh! Por, Etilda ka të drejtë kur tha se duhet diploma e gjimnazit… prandaj duhet diplomë e maturës, e pjekjes sepse një njeri i pjekur në 2023 nuk nxjerr gishtin e mesit për të kërkuar vota dhe për të lidhur kontratë që t’i shërbejë dikujt. E merrni ju dikë në punë që ju nxjerr gishtin e mesit? Turp! Por, nuk është ky problemi më i madh. Problemi më i madh është që ata janë sapun dhe detergjentë për fytyrën që nuk lahet dot të Saliut e të Ilirit. Ky është problem më i madh se gishtat e se diplomat”, tha Veliaj.
Ai shtoi se opozita mungoi 4 vjet në punë, që përkuan me tërmetin dhe pandeminë, kohët më të vështira për njerëzit. “Një nxënës, i cili nuk shkon 4 vjet në shkollë, mund të marrë diplomë? Përveç atij kandidatit tonë, e kam fjalën për të tjerët, a mund të marrin diplomë? Jo! As 4 vjet, as 4 muaj, as 4 javë, as 4 ditë, por 4 minuta të vonohet një fëmijë, një nxënës në orë të pare, e merr mungesë dhe duhet ta negociojmë nëse e kapi apo s’e kapi orën e parë. Ne një kalama që nxjerr gishtin e mesit e nxjerrim nga klasa, një kalama një nuk vjen 4 minuta merr mungesë. Por në datën 14 maj ne do braktisim ata që na çuan mbrapa e ne ecim vetëm përpara”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se ata që shkatërrojnë shtëpinë e tyre, nuk mund të rregullojnë shtëpitë tona, ndërsa shtoi se njëri është non-grata, i izoluar, që nuk del dot askund, ndërsa tjetri, Ilir Meta, njeriu që ka degjeneruar më shumë Saliun, sot është aleati i tij.
“E patë çfarë i bënë shtëpisë së tyre? Ju kujtohet 8 janari? Ju kujtohet se çfarë i bënë selisë së tyre? Dolën tek sheshi “Skënderbej” me bishta lopatash, me shkopa bejsbolli, me shkallë dhe thashë se do bëjnë ndonjë punë për Tiranën. Por, kur hap televizorin, shkopi i bejsbollit ishte për të çarë kafkën e shokut; vareja ishte për të shqyer dyert e shtëpisë; bishtat e lopatës ishin për ta bërë kurrizin më të butë se barku, të anëtarëve të familjes së tyre; njerëz që djegin, shkatërrojnë, dhunojnë familjen e tyre, nuk ndihmojnë dot familjet tona. Nëse propozimi ynë është që të ecim përpara, propozimi i tyre është që të ecim mbrapa. Sot, Saliu është ‘non grata’. Nëse e ke emrin Sali, nuk shkon dot në Rinas, ti je sot njeriu më i izoluar. Ai thotë: Meqë kam unë hall, u bëftë halli im halli i të gjithëve! Kurse ne themi: Nëse dikush ka halle, t’i gjejmë zgjidhje hallit. Por Saliu nuk ka ngelur vetëm në këtë hall. Nuk është vetëm ai non grata. E ka edhe një shok të vet, Ilir Metën, që deri dje e fuste në burg, deri dje sabotonte çdo qeveri, ka rrëzuar gjithë qeveritë e PD. Por Saliu ka sindromën e Stokholmit. Ka rënë në dashuri me atë që e dhunonte, ka rënë në dashuri me atë që e ka dhunuar më shumë, atë dhe të birin. Se ju kujtohet Ilir Meta! Tha: E dhashë njëherë dorëheqjen për Zenin. Unë nuk do jap dorëheqjen tërë kohën. Pra, njeriu që ka degjeneruar më shumë Saliun dhe Zenin dhe gjithë PD është sot aleati i tij”, nënvizoi Veliaj.