Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi në emisionin “Wake up” në TCH, se PS është e vendosur që të zhvillojë një fushatë pozitiviste.
“Unë parashikoj një fushatë të qetë. Edhe kënga që kemi nxjerrë, mënyra si po e bëjmë fushatën ajo që quhet low key, me këmbë në tokë, duke mbjellë pemë dhe jo duke mbjellë inate dhe helme, toksina. Besoj se është mënyra më e mirë për t’ju qas kësaj fushate. Këtu nuk bëhet fjalë për ta trajtuar qytetin si hordhitë trajtonin kalanë e Krujës, kush do e pushtoi, kush do e copëtojë. Këtu bëhet fjalë për të dhënë disa alternativa për mënyrën si mund të ecim përpara, të votojmë të qetë, më i miri ose më i pranuari të fitojë dhe të vazhdojë punën”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se përballë janë të njëjtët personazhe që gjatë 4 viteve që drejtuan Bashkinë e Tiranës, 2011-2015, nuk ndërtuan asnjë shkollë. Ai tha se ata janë e shkuara e Shqipërisë.
“Formalisht ti ke përballë një koalicion që drejtohet nga këta dy personazhë, që për mendimin tim përfaqësojnë Shqipërinë mbrapa dhe Shqipërinë që ngeli pas shumë kohë. Nëse i referoheni bashkisë së Tiranës, këta dy zotërinj e kanë drejtuar bashkinë e Tiranës në 2011-2015. Ju kujtohen ato 10 votat e famshme? Pasi drejtuan Tiranën, nëse ju më thoni që mbani mend ndërtimin e një shkolle, atëherë do ju jap të drejtë. Por nuk u ndërtua asnjë shkollë në ato katër vite. Nëse mendon se kulmi të civilizimit që ata përfaqësonin ishte ajo torta e pavarësisë, ku me legena, me govata, me kova ku meqë ra fjala edhe ajo ishte falas. Unë besoj që ajo Tiranë që u bë qesharake në sytë e botës dhe nuk pati progres i përket të kaluarës. Tani të njëjtit personazhë nuk sjellin të njëjtin kryetar bashkie, sjellin një tjetër. Por është e njëjta frymë, është i njëjti koalicion. Të kesh disa njerëz që flasin akoma si në vitin 1992, kur mbaj mend edhe fushatën e fundit që ne u munduam të ulim tonet. Hip mbi kofano, xhiro goma, mbushe qytetin me pankarta. Kjo është një gjë shumë “old school” ku I thonë, shumë shkollë e vjetër”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë deklaroi se formalisht opozitën e përfaqëson Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, një parti private e transferuar te një forcë tjetër e djathtë. “Të pestë kandidatëve u uroj sukses. Nëse do angazhoheshin edhe ata për një fushata pa të shara, pa fyerje pa goditje nën brez, unë besoj se ne mund të kishim debate, mund të kishim shkëmbime idesh, në mund të pasuronim kulturën politike duke pasur disa diskutime civile. Sot formalisht opozitën e përfaqëson Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, një parti private ku është transferuar le të themi një forcë tjetër e djathtë. Aty kemi një mish-mash ideolologjish”, tha Veliaj.