Nga Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, i cili bashkë me stadiumin “Selman Stërmasi”, do të transformohen nga Bashkia e Tiranës, Erion Veliaj ftoi qytetarët e Njësisë 7, të votojnë për atë forcë politike që punon për familjen dhe fëmijët e tyre.
“Ftesa ime për çdo demokrat dhe për çdo anëtar të fundit që i ka ngelur Monikës dhe Ilirit është: Mos e bëj për ne, por mendo për fëmijën tënd! E nëse nëpërmjet familjes tonë politike çerdhja është bërë më e mirë, mos pyet për të majtë e për të djathtë, pyet kush e rregulloi çerdhen! Nëse kopshti është bërë më i mirë, mos pyet për teserë, po shiko kush rregulloi kopshtin! Nëse sot Tirana ka 40 e ca shkolla, mos pyet i kujt partie ishte, por pyet cila skuadër dhe kush ma bëri shkollën më të mirë për fëmijën! Nëse Fusha e Aviacionit, Njësia 7, ka më shumë gjelbërim, mos u shqetëso fare për mbiemrat e tyre, por shiko kush ta bëri këtë gjelbërim dhe të solli oksigjen! Nëse kompleksi “Dajti” sot iu kthye publikut, mos na e shiko fare logon e partisë, mjafton të shohësh se cila është skuadra që shkon përpara! Nëse “Asllan Rusi” e “Selman Stermasi” do të transformohen ashtu si “Arena Kombëtare”, mos e lejo veten të të përdorë Saliu duke thënë fillimisht ‘Arena e korrupsionit’ dhe pastaj ‘e demokracisë’. Bashkohu me ne, që sot që t’i bëjmë këto punë bashkë,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se Sali Berisha poshtëroi demokratët në shfaqjen e në stadium.
“Ju kujtohet kur thanë: Stadiumi i krimit, stadiumi i korrupsionit, stadiumi i mafias, i Ndraghetas, i Cosa Nostras?! Pastaj, kur vajtën tek stadiumi thanë: Stadiumi i Lirisë, stadiumi i demokracisë, stadiumi i fitores, stadiumi i shpresës! Me kë tallen këta? As me demokratët nuk tallen dot, se prandaj demokratët e braktisën dhe e lanë tek-pullë në stadium, duke e bërë gazin e botës. 80 vjeç burri aty duke iu folur karrigeve bosh. U kënaqën karriget me fjalim. Një njeri që mund të rrijë dy orë, t’i flasë stadiumit bosh dhe t’i shohë karriget si njerëz me të cilët do fitojë, është gajasja më e madhe! Bravo u qoftë demokratëve që e lanë tek pullë vetëm, ashtu si ai i ka tallur ata, duke i ndërsyer kundër nesh. Pse duhet të gënjesh edhe për shkollat, – se nuk ka asnjë problem, ka shkollë nate e mund ta bësh shkollën, po pse duhet të gënjesh për gjithçka? E kanë Bashkinë e Shkodrës. Pse nuk e bëjnë falas autobusin në Shkodër? Një linjë autobusi është atje. Pse nuk e bëjnë Shkodrën me nënkalime? Këta kanë dy programe: Një program e kanë për ata që tashmë i kanë rrejt dhe nuk i rrejnë dot më, një program tjetër e kanë për ata që nuk i kanë rrejt akoma. Por unë di t’ju them këtë: Tirana nuk gënjehet më”, shtoi ai. Veliaj ka ironizuar mungesën e emrit të Berishës në fletën e votimit.
“Ku janë në fletë votimi? Ku është logo e partisë? Ku është emri i udhëheqësit? Ka pas qenë një këngë për brezin tim, kur ishim ne të rinj, “no name, no face, no number”. Demokratët kanë dy zgjedhje: Ose të poshtërohen nga Saliu dhe të shkojnë tek Ilir Meta si “cjapi tek kasapi”, se vetëm ai është në fletë votimi, njeriun që i ka abuzuar dhe dhunuar më shumë, ose të bashkohen me ne, me Partinë Socialiste dhe të shkojnë përpara.”