Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi vijon sot.

Edhe kjo seancë vazhdon të jetë e mbyllur për publikun me qëllim mbrojtjen e dëshmitarëve.

Gjatë javës së kaluar për tri ditë radhazi, ka folur dëshmitarja e parë për të katër rastet.

Dhomat e Specializuara thanë se të gjitha gjykimet janë publike, por gjykatësit në disa raste vendosin ta kenë private seancën për të mbrojtur identitetin e dëshmitarit.

“Vendimi për t’i kryer seancat në seancë private për të mbrojtur dëshmitarët shqyrtohet me kujdes nga gjykatësit, rast pas rasti. Gjykatësit sigurohen që të ketë balancë midis nevojës për mbrojtje të dëshmitarëve dhe të drejtave të të akuzuarve. Për shembull, edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, avokatët e të akuzuarve përsëri kanë të drejtën t’i bëjnë pyetje dëshmitarit nga ana e tyre”, tha zëdhënësi Michael Doyle.

Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.