Kjo javë do të jetë nën ndikimin e vranësirave dhe reshjeve të herëpashershme të shiut. Meteorologu Hakil Osmani thekson se reshjet do të jenë edhe në formën e rrebesheve kryesisht në veri. Përmirësim i motit pritet të enjten dhe të premten ndërsa temperaturat do të vijojnë deri në 27 gradë.
“Orët vijuese do të sjellin shpeshtim të vranësirave duke bërë që të kemi reshje shiu si fillim në zonat veriore, veriperëndimore dhe më pas gradualisht reshjet do të përfshijnë gjithë territorin shqiptar. Parashikohet që herë pas herë reshjet të jenë edhe në formën e rrebesheve kryesisht në veri.
Përsa i përket ditës së martë dhe të mërkurë, mbetemi në mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm me vranësira të shpeshta, të cilat herë pas herë do të gjenerojnë edhe reshje shiu duke u fokusuar në zonat veriore dhe më të pakta në zonat qendrore dhe jugore. Pritet një përmirësim i kushteve të motit duke filluar të enjtën dhe të premten.