Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Lezhë ku është ekzekutuar me armë zjarri një person.

Manja i është përgjigjur pyetjes së gazetares së ABC News, Esiona Konomi në lidhje me akuzat që i kanë bërë kundërshtarët se vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj, në Lezhë një ditë më parë ishte për shkaqe politike.

Ai ka theksuar se para se të jenë kundërshtar politik janë shqiptarë të gjithë dhe fton autoritetet që të zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë.

”Dua të shpreh ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit dhe të gjithë solidaritetin tim për këtë ngjarje të trishtë, në radhë të parë jemi shqiptarë dhe duhet që të bashkohemi në një kërkesë, për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe vënien para drejtësisë të autorëve të kësaj ngjarje të rëndë. Në lidhje me akuzat kam neveri dhe përçmim pasi janë të njëjtët njerëz që vëlla vrasjen., të përçarjes dhe përdorimin e viktimave për përfitim politik e kanë pasur ADN të tyre politike prej 32 vitesh.”, ka thënë ai.