Deklarata e Sali Berishës te Arjan Çani, se ambasadorja amerikane ka kërkuar arrestimin e tij, tashmë nuk përbën më një obsesion apo mankth personal i tij. Dukshëm kemi të bëjmë me një lëvizje politike, e cila ka një synim të caktuar, për faktin se nuk bëhet për herë të parë.
Disa vjet më parë, të njëjtën gjë Sali Berisha tha për ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin. “I ka kërkuar Adriatik Llallës arrestimin tim”. Ndërkaq, mediat pranë Ilir Metës, po në kohën e Adriatik Llallës, përhapën një lajm që e qarkulluan gjatë, sipas të cilit, Donald Lu, ambasadori i SHBA-së, në Tiranë, i paska kërkuar arrestimin e Ilir Metës.
Ky qëndrim, tashmë permanent prej 2016-s, nuk është as déjà vu, e as një logjikë inati, por një vijë e qartë, politike. Sipas të cilës, edhe nëse Berisha, familja e tij, apo të tjerë arrestohen i kanë nga SHBA. E ky është tipik ai “qëndrimi antiamerikan”, për të cilin ka folur në intervistën e tij Gabriel Escobar.
Shpallja Non Grata i Sali Berishës dhe familjes së tij nga qeveria amerikane për korrupsion të qenësishëm, minim të demokracisë dhe pengim të drejtësisë, është një akt politik i SHBA-së. Akt, që Departamenti i Shtetit e bën në zbatim të një ligji, të famshmit 7031/C, ku nuk është vetëm ish-Presidenti e ish-kryeministri i Shqipërisë subjekt, por mijëra zyrtarë botërorë që kanë histori të ngjashme abuzimi pushteti.
Koncepti është i qartë. SHBA nuk do të bashkëpunojë me politikanë për të cilët ka fakte për korrupsion, e kjo është krejt normale dhe autonome për çdo shtet. Mirëpo fabula e “kërkesës për arrestim”, është një akt politik qartasi antiamerikan. i cili në çdo vend anëtar të botës, do të kishte qëndrimin e qartë dhe të prerë të qeverisë përkatëse.
Në Itali, prej rastit të pengmarrjes dhe vrasjes së Aldo Moros nga Brigade Rosse, është folur shumë nga qarqe të ndryshme në Itali, se vrasjen e Moros e ka dashur SHBA. Sepse Moro donte një qeveri të përbashkët me komunistët. Kjo është një teori konspiracioni, që po t’i futesh thellë zbulon se ishin sovjetikët që përfituan nga këto zëra, e aspak SHBA.
Megjithatë, asnjë politikan, qoftë ekstrem komunist, përkatësisht deputet apo europarlamentar nuk e ka akuzuar SHBA-në. Pasi nëse do ta bënte, sipas të gjitha gjasave, qeveria italiane, si një partnere e ngushtë e SHBA, do të dilte të përgënjeshtronte akuzën, përderisa nuk ka një fakt real.
Ka fakte Sali Berisha se Donald Lu, Romana Vllahutin, apo Yuri Kim kanë kërkuar arrestimin e tij? T’i çojë në SPAK, në prokurorinë amerikane, atë europiane, por nuk ka të drejtë t’i përgojojë në media.
Berisha, mund të çmendet, por nëse Shqipëria si anëtar i NATO-s, ka një qeveri të përgjegjshme, i duhet t’i përgjigjet, e të bëjë 3 veprime: ose t’i kërkojë Berishës të japë provat e akuzës së vet, duke i dërguar para drejtësisë, ose t’i kërkojë zyrtarisht që të bëjë ndjesë publike, ose ta denoncojë për shpifje ndaj partnerit më të rëndësishëm strategjik të vendit.
Nuk ka logjikë që kjo lojë alla rrethi katror të ngrihet si një teoremë politike në Shqipëri. Pasi realisht nuk ekziston. SHBA e ka drejtuar gishtin ndaj politikanëve të korruptuar qartësisht. Edhe në rastin e Berishës. Por SPAK, sot, sidomos pas kësaj loje të Berishës i takon të ndajë gjënë: ose SHBA e ka gabim ose Sali Berisha e ka drejtë.
Gjithsesi, kjo fabul absurde nuk i prish aspak punë imazhit amerikan në Shqipëri, përveçse bën qesharak Sali Berishën. Në ditën para arrestimit, Fatos Nano, i ngarkuar emocionalisht akuzoi ambasadorin e atëhershëm të SHBA në Tiranë, William Ryerson dhe zv.ambasadorin Chris Hill se kanë ndikuar në arrestimin e tij.
Askush nuk foli nga SHBA për vite me radhë. Kur ambasadori Hill u tërhoq nga shërbimi diplomatik, dha një intervistë për Ilva Taren, ku theksoi se kjo ishte një absurditet e la të kuptohet se ja kishte sqaruar edhe personit që e nxori, pra Nanos.
E në fakt kur e mendon, nuk ka logjikë nëse SHBA apo BE kanë një objektiv që e ndarmarrin dhe nuk e realizojnë. Merr shembull Slobodan Milosheviçin. E arrestuan brenda vitit. E këtë Berisha e di, ndaj e përdor, ka gjasa që të nxehë amerikanët e ta vënë në shënjestër. Por duket, ata thjesht duan ta lënë ashtu me maraz që harron emrat e bashkëpunëtorëve të tij në çdo takim. E ky është dënimi më i rëndë…