Përfaqësuesi ligjor i PD së drejtuar nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj, Indrit Sefa ka dorëzuar më herët në KAS ankimimin për fletët e votimit të miratuara nga KQZ për zgjedhjet e 14 majit.

Gazetari Ergys Gjençaj tha për “BalkanWeb” se PD e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, ka kërkuar që në fletën e votimit të shkruhet Ilir Meta dhe jo inicialet e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

“PD e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj kërkon që në fletën e votimit të shkruhet Ilir Meta dhe jo (B.F), pra inicialet e koalicionit “Bashkë Fitojmë. I takon Komisionit të Ankimimit dhe Sanksioneve të shqyrtojë kërkesën. Nëse do të kemi një vendim që do pranojë ankimimin e Alibeajt me shumë gjasë vendimi do apelohet në Kolegjin Zgjedhor nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Nëse KAS do të rrëzojë ankimin e PD-së së Alibeajt, pritet që PD e Alibeajt ta ankimojë në Kolegjin Zgjedhor. Në momentin që nuk kemi të printuar fletët e votimit kjo çështje mbetet e hapur deri në një vendim përfundimtar”, tha më tej gazetari.