“Rruga “Valbona”, është premtimi ynë i mbajtur për njësinë administrative Rrashbull, ndërkohë që vazhdojmë me investime të tjera për mandatin e ardhshëm”. Kështu është shprehur kryebashkiakja Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për bashkinë Durrës në takimin me banorët e zonës.
Asfaltimi i kësaj rruge lehtëson qarkullimin e mjeteve dhe i shërben të gjithë banorëve. Pas përfundimit të investimeve në rrjetin elektrik dhe atë të ujësjellësit, puna do të fokusohet në rehabilitimin e infrastrukturës, në ndërtimin e terreneve sportive, qendrën e re shëndetësore si dhe në një sërë investimesh të tjera me qëllim trasnformimin rrënjësor të kësaj zonë.
“Ne jemi bashki që reagojmë ndaj kërkesave të komunitetit. Forcën më të madhe e kemi ballafaqimin me njerëzit dhe kur ballafaqohemi e kemi realizuar punët, kjo është shenjë serioziteti dhe vazhdimësie për të ardhmen. Kemi shumë plane. Në të gjithë njësitë administrative duam të bëjmë nga një terren sportiv, të bëjmë edhe qendrën shëndetësore. Është e rëndësishme mbështetja juaj për të vijuar punët për mandatin që vjen”, tha Sako.
Në njësinë administrative të Rrashbullit përgjatë këtyre viteve është investuar në linjën e furnizimit me energji elektrike 20 kv, në rrjetin e ujesjellësit me qëllim furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë të zonës si dhe në infrastrukturën rrugore. Gjatë mandatit të ardhëm 4-vjeçar do të vazhdojnë investimet me qëllim transformimin e kësaj njësie.