Hyrja në garë e Presidentit Biden pason njoftimin e ish-Presidentit Trump në nëntor se do të përpiqej për një mandat të dytë pasi humbi zgjedhjet e vitit 2020 përballë zotit Biden. Në një deklaratë për kandidaturën e Presidentit Biden, zoti Trump kritikoi qëndrimet e rivalit të tij lidhur me emigracionin, inflacionin dhe tërheqjen amerikane nga Afganistani.
“Familjet amerikane po rrënohen nga inflacioni më i keq në gjysmë shekulli. Bankat po dështojnë”, tha ish-Presidenti Trump në platformën e tij të mediave sociale. “Kemi dorëzuar pavarësinë tonë energjitike, ashtu siç dorëzuam Afganistanin”, tha ai. Si kandidati në pushtet, Presidenti Biden nuk ka gjasa të përballet me konkurencë të lartë nga brenda partisë së tij. Asnjë zyrtar i lartë demokrat nuk ka dhënë shenja se do ta sfidojë atë dhe ai ka mbledhur rreth vetes një grup demokratësh me perspektivë për të shërbyer si këshilltarë për fushatën e tij, ndër ta edhe guvernatorët J.B. Pritzker të shtetit Illinoi dhe Josh Shapiro të shtetit të Pensilvanisë.
Kandidatët e mundshëm republikanë dhe ata që tashmë e kanë shpallur kandidaturën, e kanë përqëndruar retorikën për zgjedhjet 2024 tek ulja e shpenzimeve qeveritare, ndërsa vazhdon inflacioni i lartë, tek kufizimet ndaj abortit, si dhe tek niveli i krimit në qytetet e drejtuara nga demokratët dhe tek emigracioni i paligjshëm. Dy republikanët kryesorë, ish-Presidenti Trump dhe Guvernatori i Floridas Ron DeSantis, duan të kufizojnë qasjen e fëmijëve transgjinorë tek ekipet sportive dhe shërbimet mjekësore për ndërrimin e gjinisë, si dhe kufizimin e mënyrave se si shkollat përfshijnë në mësimdhënie çështjet e komunitetit LGBTQ+, historinë e skllavërisë në Amerikë dhe pabarazitë raciale.
Ndaj ish-Presidentit Trump fillon sot çështja gjyqësore për padinë civile ndaj tij të ngritur nga shkrimtarja E.Jean Carroll, e cila e akuzon atë për përdhunim në dhomat e ndërrimit në një dyqan veshjesh në mesin e viteve 1990. Ish-presidenti, i cili nuk ka detyrimin të paraqitet gjatë gjyqit, i ka mohuar akuzat, duke e quajtur zonjën Carroll ‘të sëmurë mendërisht’ që e ka sajuar akuzën e përdhunimit për të tërhequr vëmendje për shitjen e një libri të saj.