Edmond Gjini dhe 2 vëllezërit Remsi e Dritan Uka, janë 3 shqiptarët e arrestuar në Greqi, në mesin e 14 personave në total, për sasinë prej 105 kg kokainë të kapur më 9 maj në Selanik.
Nuk dihet nëse 3 shqiptarët e arrestuar kanë pasur rol të mëparshëm të ngarkesave të tjera të ardhura me banane nga vendet e Amerikës Latine, në të cilët fshihet kokaina, por në rastin e fundit 2 vëllezërit kanë pasur detyrë nxjerrjen e kokainës nga kontejneri dhe me pas saldimin e tij, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Kjo detyrë është kryer në një magazinë jashtë portit, të cilën e përdornin si bazë të kalimit të drogës nga kontejneri në kamion.
Bashkë me 3 shqiptarët u arrestuan edhe 7 grekë, në mesin e të cilëve edhe koka kryesore e trafikut, një mjek me të shkuar kriminale në trafikun e lëndëve narkotike të forta, i cili bashkë me djalin dhe nipin organizuan gjithçka.
Lënda narkotike, e cila do të nisej drejt Shkupit, do të transportohej me një kamion me targa të Gjevgjelisë, çfarë ka bërë që në hetime të përfshihet edhe Maqedonia e Veriut, e cila nga ana e saj arrestoi 4 shtetas të saj.
Sipas dosjes hetimore, vetëm 5 ditë para operacionit të policisë së Selanikut, një ngarkesë tjetër me banane është larguar nga porti nga të njëjtën porositës, ka ndaluar për disa orë në të njëjtën magazinë që kishte destinacion kamioni me 105 kg kokainë dhe më pas ka vijuar udhëtimin drejt Shkupit, nga ku dyshohet se edhe ajo ka pasur kokainë.
Kur ngarkesa e radhës erdhi, ku edhe u gjet kokaina, drejtuesi i mjetit nuk ndaloi nga sinjalizimi i policisë, deri në momentin që u përplas me një tjetër automjet që vinte nga krahu i kundërt. Në hetim janë edhe 6 ngarkesa të tjera me banane dhe jo vetëm, që kanë mbërritur në Portin e Selanikut që nga nëntori i vitit 2022.