Dy ditë pas zgjedhjeve vendore 2023 dhe pak orë pas konfirmimit të fitores në pjesën më të madhe të bashkive të vendit, kryeministri Edi Rama do të niset për një udhëtim jashtë vendit, për samitin e liderëve të Evropës.
Lajmi u konfirmua nga vetë kreu i qeverisë, teksa gjatë një konference për mediet, tha se nesër niset drejt Islandës.
“Nesër nisëm për samitin e liderëve të Evropës në Islandë dhe sa të përfundojë kjo do të fillojmë turin e falënderimeve nga Shkodra që jam i sigurt që ne mund të bëjmë shumë gjëra”- tha Rama.
Në një vlerësim për qytetin veriperëndimor, Rama e ka konsideruar atë si sfidën e tij më të madhe e cila më në fund i dha shansin për të punuar, dhe nëse nuk tregohen në lartësinë e duhur do ta humbasin shumë shpejt.
“Shkodra është qyteti dhe zona më e bekuar e Shqipërisë. Në asnjë qytet në Evropë nuk ka lumin, liqenin, detin, malin, alpet të mbledhura bashkë në një vend. Mirëpo siç ka natyrën është edhe bashkia më e prapambetur dhe më antike e Shqipërisë.
Ne tani duhet të bëjmë edhe më shumë seç kemi thënë sepse Shkodra na dha jo një shans por një besim shumë të fortë që mund të kthehet, në një kohë jo shumë të gjatë, në një mosbesim shumë të madh nëse ne nuk jemi në lartësine e duhur.
Shkodra është kryefjala e mandatit që do të nis pas disa muajësh. Megjithatë, kjo pasdyshim nuk i heq asgjë angazhimit tim për Durrësin. Aty do të ndërtojmë disa vepra që do t’i përkasin ekonomisë turizmit dhe tregtisë të rajonit dhe më gjerë”– tha Rama.