Kreu i Shtetit i shoqëruar edhe nga Zonja e Parë, Armanda Begaj, u bënë pjesë e aktiviteteve të organizuara me këtë rast nga Dioqeza Rrëshen dhe Bashkia Mirditë, në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat që angazhohen në fushën e edukimit dhe ruajtjes së kujtesës historike.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj u ndal tek respekti ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan për liri.
“Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashai, Dashnor Kazazi, Jorgji Pepa, e shumë e shumë të tjerë që unë nuk po i përmend, janë vetëm disa nga ata emra që e bënë sakrificën e tyre për të treguar se edhe mbas vdekjes, shpresa nuk vdes!,” – tha Presidenti Begaj, duke shtuar më tej se: “Ata janë pjesë e një historie që ende nuk ka dalë plotësisht në dritë dhe që ndikon me peshë hijesh në të ardhmen e vendit tonë. Heronjtë e Spaçit e të tjerë si ata, shërbejnë si një kujtesë për të gjithë ne, se lufta për liri është një luftë e përhershme, që kërkon angazhimin dhe vigjilencën tonë të palëkundur. Një kujtesë se fuqia për të formësuar fatet tona qëndron brenda secilit nga ne.”
Presidenti Begaj vazhdoi më tej duke thënë se: “Le të ndërtojmë ura mirëkuptimi, dhembshurie dhe ndjeshmërie, duke e ditur se nëpërmjet këtyre lidhjeve shpirtërore ne mund të krijojmë një të ardhme më të ndritshme për brezat që do të vijnë. Por ta fillojmë këtë duke u bërë të vetëdijshëm për të shkuarën tonë e duke ndarë moralisht të mirën nga e keqja. Çka është më e rendësishme të ndërtojmë të ardhmen, duke kërkuar falje për gabimet e të shkuarës, e duke u shkëptur tërësisht nga hija e periudhës më të errët të kombit tonë.”
“Dua të shpreh respektin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë martirët e kësaj revolte. Në këtë ditë të shënjuar historike, të mbijetuarit e Revoltës së Spaçit janë shembulli më i mirë se, pavarësisht gjithë vuajtjes që kanë përjetuar, ata përçojnë tolerancë, mençuri, shpresë dhe mirësi. Për këtë, e për gjithë betejat tuaja, shoqëria jonë ju ka një borxh të madh,” mbylli fjalën e tij Presidenti.