Luizi dhe Kiara do të kurorëzojnë mbrëmjen e sotme në martesë lidhjen e tyre të dashurisë, që u krijua në Big Brother Vip. I pyetur nëse ky kurorëzim do të bëhet në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj zgjodhi të mos i komentojë zërat, por as nuk e pohoi e as nuk e mohoi këtë.
“Nuk e di ç’a po gatuhet në tarracë, por di të them se për mua është një nga gëzimet më të mëdha kur çifte të reja i shtohen qytetit. Ndonjëherë ndihme keq për kryetarë të tjerë bashkish që vetëm pakësohen, po kur më pyesin njerëzit për Tiranën them: ‘Unë kam komplet hall tjetër’. Është ‘hall’ i bukur që qyteti vetëm po shtohet. Besoj se për të gjithë ata që vendosin të jetojnë në Tiranë dhe t’ia fillojnë jetës këtu, kanë bërë një zgjedhje që është kompetitive, patjetër që qyteti ka garë”, u shpreh kryebashkiaku.
Veliaj shtoi se qyteti sot është më i përgatitur financiarisht për të mbështetur familjet e reja. Ai u shpreh se ashtu sikurse Luizi me Kiarën, çdo çift i ri është gëzim për Tiranën.
“Sot qyteti është më i përgatitur financiarisht, por dhe nga ana infrastrukturore, për të mbështetur familjet e reja. Fillon që me çekun e bebes, me çerdhe, kopshte, shkolla më të mira, me bonusin e qerasë apo me një kredi të butë. Çdo çift i ri është një gëzim për Tiranën, kështu që edhe Kiara me Luizin janë një gëzim i madh për Tiranën, sepse do krijohet një familje e re dhe do lindin ‘tironsa’ të rinj”, tha ai.