Sot paradite kreu i SYRIZA-s greke Aleksis Tsipras ka shkuar në presidencë për të marrë nga presidentja Sakelaropulu një mandat për krijimin e qeverisë me koalicion, por sikurse Mitsotakis e ka refuzuar.

Lideri i opozitës e ka refuzuar mandatin qeveritar direkt në presidencë.

Në vijim do të thirret lideri i PASOK, Nikos Andrulakis, po brenda ditës së sotme. Nëse nuk do të mund të krijohet një qeveri as në këtë rast, gjë që pritet me siguri të ndodhë, presidentja e Greqisë do të thërrasë në një takim gjithë kryetarët e partive që kanë siguruar vende në parlament, për të kërkuar një qeveri.

Pas këtij takimi, që gjithashtu nuk pritet të sjellë rezultat, Greqia do të ketë një qeveri teknike me kryeministër një nga tre kryetarët e gjykatave më të mëdha të vendit, Këshilli i Shtetit, Gjykata e Lartë ose Komisioni Kontrollues. Deputetët e parlamentit të përkohshëm do të betohen me shumë gjasa të dielën dhe parlamenti do të shpërbëhet një ditë më pas, të hënën.

Greqia drejtohet në një raund të dytë zgjedhjesh me shumë mundësi në 25 qershor. Këtë radhë do të ndiqet rregullore e zakonshme, do të votohet me listë, (jo për kandidatët e preferuar) dhe do të ketë mandate bonus. Së fundi, pritet të ketë ndryshime të vogla në emrat e deputetëve që do të formojnë parlamentin e ardhshëm, pas rezultatit të raundit të dytë.