A po luan Enkelejd Alibeaj një rol për rikthimin e Lulzim Bashës në drejtimin e Partisë Demokratike. Kjo pyetje i është bërë kryetarit të komanduar të PD nga Blendi Fevziu në studion e Opinion në Tv Klan.
Alibeaj tha se për të nuk ka rëndësi se kush është kryetari i partisë, por sipas tij, e rëndësishme është që partia të jetë më e madhe se kryetari.
Blendi Fevziu: A po luani ju një rol për momentin për një rikthim të mundshëm të Lulzim Bashës pas zgjedhjeve?
Enkelejd Alibeaj: Profilin tim politik e kam që i qëndroj vlerave dhe parimeve dhe s’jam kurrë dhe s’bëhem asnjëherë me sjelljet…
Blendi Fevziu: Nëse Basha do kthehet, do e pranonit politikisht?
Enkelejd Alibeaj: Nuk është ai diskutimi. Pyetja që bën ti është e pavend për një arsye fare të thjeshtë. Ajo që unë besoj, imagjinoj, është interes i PD, nuk është diskutimi se kush do të jetë kryetari. Do duhet të largohemi nga idea kryetari i partisë…
Blendi Fevziu: Nuk është kështu…
Enkelejd Alibeaj: Për ty jo, për mua është kështu.
Blendi Fevziu: Për një njeri që ka humbur dy palë zgjedhje, që mund të përdori dikë tjetër, në këtë rast ju, për të ardhur prapë në pushtet, kjo nuk është një gjë që s’duhet të merremi.
Enkelejd Alibeaj: Nuk është diskutimi se kush do jetë kryetari i partisë, ky është një diskutim fare banal për mua. Ajo çfarë besoj se unë se do duhet të jetë PD, duhet të jetë e rinovuar në koncept, frymëzim, në ideologji, në pozicionin e vetë politik. Që do të thotë të jetë një parti shumë herë më e madhe se kryetari ku kryetari të mos ketë asnjë lloj vlere relevante dhe të përcaktojë fatin e saj.