Tashmë Ukraina po kërkon që të krijohet një gjykatë e posaçme për të drejtuar seancat rreth akuzave të vazhdueshme për krime lufte të kryera nga Rusia. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë një fjalimi para diplomatëve dhe zyrtarëve në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, paraqiti kërkesën si një mënyrë për t’i kërkuar llogari Rusisë rreth veprimeve të bëra.
“Vetëm një krim rus çoi në të gjitha këto krime: ky është krimi i agresionit, fillimi i së keqes, krimi parësor. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi dhe mund të zbatohet vetëm nga gjykata. Nëse duam drejtësi të vërtetë, nuk duhet të kërkojmë justifikime dhe nuk duhet t’u referohemi të metave të ligjit aktual ndërkombëtar, por të marrim vendime të guximshme që do të korrigjojnë mangësitë”, tha Volodymyr Zelensky-Presidenti i Ukrainës.
Zelensky njoftoi se Presidenti Vladimir Putin do të përballet me një gjyq ndërkombëtar për krime lufte, kur Ukraina të ketë fituar luftën ndaj Rusisë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar tashmë një urdhër arresti për presidentin rus, por sipas mediave ndërkombëtare shanset janë të pakta, edhe pse në deklaratat paraprake thuhet se kanë prova për veprimet e kryera.
“Të gjithë dëshirojmë të shohim një tjetër Vladimir këtu në Hagë, atë që meriton të dënohet për veprimet kriminale, këtu në kryeqytetin e ligjit ndërkombëtar. Jam i sigurt se do ta shohim këtë të ndodhë kur të kemi fituar”, shtoi më tej ai. Ukraina ka akuzuar vazhdimisht palën ruse për krime lufte të kryera ndaj civilëve që nga nisja e luftës më 24 shkurt të vitit të kaluar. Lufta prej muajsh ka shkaktuar dëme të pallogaritshme në territoret ukrainase, ndërsa së fundmi ka nisur një tjetër ofensivë nga ushtria ruse. Bombardimet nuk kanë munguar në qytetet kryesore gjatë kësaj jave, duke lënë të vdekur dhjetëra persona.