Analisti Andi Bushati ka folur për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2001, ndërsa përballë kishte Sali Berishën.
Ai solli në vëmendje se nuk duhet harruar fakti që Ilir Meta ishte kryeministër në atë kohë.
“Me referencën e vitit 2001, në fillim u njohën votat e PS-së megjithëse u bë masakër nga kutia e votimit deri tek votat, që ishte kryeministër Ilir Meta, nuk duhet ta harrojmë këtë.
Por në këtë krahasim çalon diçka, çalon fakti që Partia Socialiste atëherë ishte ende një parti që ende ishte sensibël ndaj vërejtjeve të ndërkombëtarëve.
Ndërsa sot kur i bënë presion për prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit, tha unë e gris dhe nuk pyes fare,” u shpreh analisti në ballafaqimin me Sali Berishën.
Ai tha se beteja për të rikthyer votën e lirë në Shqipëri nuk është për 14 majin, por është një betejë që mund të zgjasë edhe me vite.
Bushati iu drejtua ish-kryeministrit Berisha duke thënë se vota e lirë nuk mbrohet veçse me armë.
“14 maji është një stacion për të testuar rezistencën, jo për të shpallur fitoren. Pra, nëse arrihet të ketë një rezistencë, është një gjë për t’u duartrokitur, por për të shpallur fitoren e votës së lirë në Shqipëri më duket pak utopike,” – u shpreh Bushati.
Ndërkohë Berisha tha se do të jenë në terren për të mbrojtur çdo votë, jo me armë, po do jenë aty në krye të detyrës.
“Çfarë do bëjmë ne, ne jemi aty në çdo moment, në çdo sekondë, do jemi aty. Nuk jemi me armë, por jemi aty, në krye të detyrës. Në mënyrë absolute ne kemi vetëm një mision; rikthimin e votës së lirë te shqiptarët.
Kush është Edi Rama për votën e lirë po e fakton çdo ditë. Nëse ne nuk do ishim të pranishëm, ne përjashtonim veten nga e drejta e reagimit”, tha Berisha.