Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dënuar aktin e shitblejes së votës nga ana e kandidatit të dyshes Berisha-Meta në Himarë. Në një intervistë për Top News, Veliaj tha se qartazi sa herë ka histori me shitblerje votash, lidhet gjithmonë me PD-në ose me LSI-në.

“E kam ndjekur lajmin në qytetin e Himarës, siç kam ndjekur edhe lajmin te Fresku, ku ishin zyrtarët e ish LSI-së ata që po merreshin me këtë punë. Unë kam përshtypjen se automatikisht, sa herë dëgjon raste të tilla, ti e di gjithmonë që lidhet o me PD-në, o me LSI-në. Pyetja për shumë njerez, ndoshta naïve, është: “Si nuk iu mbarojnë paratë? Kanë kaq vite në opozitë dhe vazhdojnë e blejnë vota?! Qartazi mendojnë se mbështetja publike, dashuria e popullit blihet dhe nuk e kuptojnë se ndoshta, për të qenë një forcë e besueshme duhet të punosh, të tregosh se ke disa rezultate. Tirana ka treguar se i shpërblen ata që punojnë, i shpërblen ata që thonë të vërtetën”, deklaroi Veliaj.

Veliaj, që është dhe drejtues politik i qarkut, u shpreh se akoma më e rëndë është shitblerja e kombit, duke bërë deklarata për helenizim të tokave shqiptare. “Në qoftë se i referohemi rastit të Himarës, dua të theksoj diçka, që ajo që është e rëndë në Himarë nuk është shitblerja e votës, sepse është po aq e rëndë ajo e Himarës me këtë të Freskut, apo raste të tjera, ku kemi pasur fenomene të tilla. Gjëja më e rëndë është që personi që angazhohet, ka bërë akte, për mendimin tim, akoma dhe më të dënueshme, edhe pse shitblerja e votës është absolutisht e dënueshme dhe duhet të mbajë përgjegjësi secili, por akt akoma dhe më i dënueshëm është shitblerja e kombit, shitblerja e vendit, fakti që ti thua që një tokë shqiptare do ta helenizosh, apo do bësh gjëra të kësaj natyre. Ndaj në kategorinë e shitblerjeve, në kategorinë e krimeve, jo çdo krim është në të njëjtin nivel. Krimi i shitblerjes së vendit është më i rëndë sesa vetëm i votës. Ndaj, unë besoj se gjëja më e rëndë në pyetjen e parë që ju bëtë, nuk është shitblerja e votës, është shitblerja e atdheut”, theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se Tirana tipikisht shpërblen në votime ata që punojnë dhe jo ata kandidatë që thonë gjëra të paarsyeshme, vetëm për të gënjyer për vota. “Nuk besoj se ka njeri iluzione që në Tiranë këto parti, PD dhe LSI, mund të blejnë vota dhe të ndryshojnë rezultatet. Tirana është një realitet shumë, shumë i madh, por edhe një realitet që ka një inerci. Tirana tipikisht shpërblen në votime ata që punojnë, ata që janë më këmbë në tokë, ata që nuk thonë apo nuk bëjnë petulla me ujë dhe nuk thonë gjëra komplet të paarsyeshme, vetëm për të gënjyer për vota. Në Tiranë, gjithmonë e më pak, shohim fenomene të tilla. Jam krenar për Tiranën sepse tregon që qytetaria dhe niveli i civilizimit në Tiranë është i tillë që as nuk i qas personazhe të kësaj natyre. Për ne situata të tilla në Tiranë janë përralla nga e kaluara sepse besoj se dinjiteti me të cilin sillen qytetarët e Tiranës është mbresëlënës dhe jam krenar për këtë”, tha Veliaj.