Maroku ka kërkuar informacion nga autoritetet shqiptare lidhur me Ruben Saraivën, vrasësin e dyshuar të biznesmenit Ardian Nikulaj, arrestimi i të cilit në këtë shtet u raportua mbrëmjen e së hënës (8 Maj 2023).
Gazetari i Klan News Besar Bajraktari ka mësuar se Ruben Saraiva ka udhëtuar nga Greqia drejt Marokut ku edhe u arrestua, një vend me të cilin Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi.
Por nga ana tjetër, burime për gazetarin bëjnë me dije se autoritetet e Marokut kanë dërguar një mesazh të hënën drejtuar Interpol Tiranës, me përmbajtje: “Lidhur me shtetasin Ruben Saraiva, i cili kërkohet nga ju për vrasje, a është kërkimi i vlefshëm? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion praktikën. Ai është arrestuar nga ne dhe po mbahet në paraburgim”.
Praktikisht ky është edhe mesazhi që informon palën shqiptare për arrestimin e të shumëkërkuarit dhe njëherësh kërkon të dhëna për rrethanat e çështjes dhe argumentat mbi veprat penale për të cilat akuzohet nga Shqipëria.
Sa i përket marrëveshjes së ekstradimeve që mungon me këtë shtet, autoritetet përkatëse në të kaluarën kanë përdorur në disa raste parimin e reciprocitetit të ndërsjelltë. Kjo do të thotë se ekziston mundësia që Saraiva të shkëmbehet me ndonjë person të shpallur në kërkim nga autoritetet marokene dhe që mund të jetë ndaluar në Shqipëri.
Ruben Saraiva ka disa anëtarë të familjes së tij në Marok dhe kjo është arsyeja që ka shkuar në atë shtet pas atentatit në Shëngjin.