Nga Rita Ora e Ermal Meta dhe shumë artistë të tjerë shqiptarë, kanë shprehur hapur mbështetjen e tyre për kryebashkiakun Erion Veliaj në zgjedhjet e 14 majit. Por, daljet publike të tyre në mbështetje të Veliajt janë sulmuar nga eksponentë të opozitës së drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.
I pyetur në Neës 24 në lidhje me këtë çështje, kryebashkiaku Veliaj tha se asnjë artist i suksesshëm nuk dëshiron të identifikohet me Sali Berishën dhe Ilir Metën. “Renis Gjoka dhe projekti i tij “Rock dhe Dictator”, që u bë himni i fushatës parazgjedhore të Partisë Demokratike, është sponsorizuar nga Bashkia e Tiranës. Eugent Bushpepa është mik i familjes tonë. Por, në demokraci biem dakord që të mos biem dakord. Renisi me Eugentin janë po aq shokë të mi, pavarësisht se politikisht ata preferojnë dikë tjetër. Pra, unë nuk i shoh ata si armiq, përkundrazi i gëzohem faktit që janë ndihmuar dhe sponsorizuar edhe ata nga bashkia. Tani pyetja është: Asfalti nuk ndërtohet me para publike? Patjetër! Po ndriçimi? Po shkollat, kopshtet? Po çerdhet? Po këndet e lodrave? Po ashtu edhe arti, kultura, teatrot, organizimet që bëjmë për Ditën e Verës etj. Për sa kohë që arti dhe kultura është një e mirë publike, do mbështetje nga të gjithë. Pyetja është: “Pse nuk i bëjnë edhe të tjerët?” Unë besoj fort se gjatë kohës së karantinës, kur bashkia çonte teatrin ose koncertin nëpër lagje, ishte një mënyrë për trajtim psikologjik të një situate të rënduar. Por, të thuash që Rita Ora merr para nga Bashkia e Tiranës? Zero! Sigurisht, ajo thotë do vij të këndoj falas, por foninë, ndriçimi, duhet ta vendosni sepse unë nuk vij me skeleri me vete nga Londra dhe Australia. Ndaj, patjetër do t’ia bësh gati skenën një artisteje të madhe, por as ajo, as Dua, nuk kanë marrë një kokërr qindarkë nga Bashkia e Tiranës”, tha ai.
Kreu i bashkisë nënvizoi se akuzat e opozitës e kanë theksuar edhe më shumë faktin se arti dhe kultura mbështesin një Tiranë që shkon përpara. “E kanë theksuar edhe më shumë faktin se arti dhe kultura mbështesin një Tiranë që shkon përpara. Në njëfarë mënyre na kanë dhënë një publicitet përtej asaj që prisnim. Këto janë video që janë krijuar në mënyrë spontane me cellular, ku e vetmja gjë që kanë thënë njerëzit është: “Lali paç fat dhe vazhdo, çoje Tiranën përpara, se është bërë një super qytet” dhe nuk kanë thënë asgjë për të sharë kundërshtarët, që janë shqetësuar kaq shume. Kjo duhet t’i bëjë njerëzit të mendojnë pse artistët e suksesshëm nuk duan të identifikohen me Saliun dhe Ilirin. Kjo është pyetja që është më e rëndësishme, se sa pse identifikohen me ne. Por ata nuk e kanë një përgjigje për këtë”, deklaroi Veliaj.