Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një takimi me banorët në Topojë të Fierit, theksoi se në 14 maj votohet për çuar përpara të gjitha projektet për zhvillimin e çdo qyteti dhe çdo bashkie.

Balla nënvizoi se kush do që Shqipëria të ecë përpara mos t’ia japë votën Saliut dhe Ilirit, të cilët bëhen bashkë për t’i prishur punë Shqipërisë.

“Nga Partia Socialiste nuk gjen asnjë moment që të ketë vepruar në dëm të interesave të Shqipërisë. Kundërshtarët tanë po, fatkeqësisht e kanë gjetur veten e tyre në momente të caktuara në shërbim të atyre që nuk i’a duan të mirën Shqipërisë. Flas këtu për dy individë që sot janë bërë bashkë, jo se duan të bëjnë punë për bashkinë e Fierit apo për bashkitë e Shqipërisë, por halli i ka bërë bashkë. Sali Berisha dhe Ilir Meta sot janë bërë bashkë jo për të bërë punë për Shqipërinë, por për t’i prishur punë Shqipërisë”, tha Balla.

Ai theksoi se “në 14 maj ne kemi mundësinë e artë që këtyre të dyve t’u tregojmë vendin njëherë e përgjithmonë”.

Balla gjithashtu foli për turizmin dhe mundësinë për të kthyer bregdetin e Fierit në një destinacion turistik dhe në një instrument zhvillimi tepër të rëndësishëm për zonën.

“Falë bashkisë sot ne kemi një bregdet thuajse tërësisht të virgjër, i cili sot është një aset dhe një instrument zhvillimi tepër i rëndësishëm për këtë zonë. Unë dua që gjithë të rinjtë e Fierit ta shohin të ardhmen e tyre këtu. Ne do kemi mundësi të zhvillojmë turizmin plot 25 km vijë bregdetare të qarkut Fier dhe kështu të kemi mundësi të zhvillojmë një turizëm të qëndrueshëm. Kur ishim me Kryeministrin në fund të tetorit kemi prezantuar një seri projektesh të cilat do të jenë projekte të mëdha, jo për të betonizuar bregdetin tonë, por për ta shndërruar atë në gurin e çmuar të gjithë industrisë së turizmit në Shqipëri. Prandaj ne do t’i qëndrojmë fjalës së dhënë për investimin në infrastrukturë që do të lidhë Fierin me bregdetin përmes rrugës së Semanit, por edhe në të gjitha segmentet për të garantuar një infrastrukturë siç do i duhet turizmit, që ne duam të zhvillojmë në këtë zonë”, shtoi ai.

Gjithashtu Balla theksoi se ka ende shumë punë për t’u bërë si dhe nënvizoi faktin së për herë të parë pagat do të arrijnë një nivel historik.

“Kemi ende shumë gjëra për të përmirësuar. Në ka një kundërshtar Partia Socialiste e Shqipërisë nuk janë dy fuksat Saliu dhe Iliri, por kundërshtarët tanë të vërtetë janë zyrtarë të caktuar në zyrat e shtetit që nuk e bëjnë detyrën si duhet. Këta janë kundërshtarët tanë që do të duhet që edhe pas zgjedhjeve të bëjmë përmirësimet e duhura për t’i dhënë mundësinë plot djemve dhe vajzave profesionistë të shkëlqyer që të bëjnë histori suksesi jo vetëm në sektorin privat por edhe në administratën shtetërore. Ndaj ne kemi ndërmarrë një reformë historike, ajo e rritjes së pagave që nuk ka asnjë dyshim që do të ecë përpara. Pagat e punonjësve janë për ne prioritet kombëtar edhe në sektorin privat. Qëllimi është që të rrisim pagat për të shkuar tek ajo që duam më shumë, rritja e pensioneve, sepse duke rritur pagat kemi më shumë mundësi të krijojmë më shumë fonde tek sigurimet shoqërore për pensionet në mënyrë që t’i rrisim ato. Shqipërinë me Edi Ramën e kemi në rrugën e duhur dhe nuk ka kthim mbrapa”, tha Balla.