Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë votoi sot pranë qendrës së votimit të ngritur pranë kopshtit nr. 31.
Balluku e cilësoi të rëndësishme këtë ditë, ku sipas saj, sovrani zgjedh se kush do të drejtojë bashkitë e vendit.
“Është një ditë e rëndësishme për vendin tonë, ku sovrani zgjedh kryebashkiakët. Ka një rëndësi të veçantë për të zgjedhur se kush do të jenë ata që do të drejtojnë bashkitë e vendit. E kanë kuptuar se puna e tyre ka një rëndësi për familjet”, u shpreh Balluku.
Ajo po ashtu theksoi nevojën e një procesi të qetë.
“Është e rëndësishme që të kemi një proces të vazhdueshëm të pandërprerë, të qetë ashtu siç Shqipëria e meriton”, tha Balluku.
Balluku njëkohësisht drejtuese politike për qarkun e Dibrës është shprehur se në Dibër situata është e qetë.
“Situata në Dibër është e qetë. Njerëzit do të votojnë dhe kam përshtypjen se do të kemi një ndër pjesëmarrjet më të mëdha. Unë votova shpejt dhe për 35 minuta do të jem në Klos, për 50 minuta në Mat, për 40 minuta në Bulqizë dhe për një orë e 20 minuta në Dibër, sepse tani kemi Rrugën e Arbrit”, tha ajo.