Belind Këlliçi pranoi se është sulmuar brenda dhe jashtë PD për shkak të partneres së tij, Anna Shkreli, e cila vjen nga një familje e majtë.
Megjithatë, ai u shpreh se kjo e ka shqetësuar shumë pak pasi ai është lidhur me Anën për atë që ajo përfaqëson si individ dhe jo prindërit e saj.
Madje theksoi se këtë e sheh si një nga armët e tij më të forta pasi tregon se është djalë i moderuar, qytetar dhe që e pranon mendimin ndryshe. Për partneren theksoi se ka lënë zemrën që të vendosë dhe për këtë është i lumtur.
“Sigurisht fillimisht jam sulmuar brenda PD, nuk ta mohoj këtë se jashtë PD po e po. Por edhe brenda PD në luftërat e brendshme politike që ndodhin rëndomë në partitë politike.
Shpeshherë duhet të jesh më i kujdesshëm brenda partisë tënde, brenda forcës tënde politike sesa në raport me kundërshtarin. Pak më ka shqetësuar sepse unë jam lidhur me Annën me atë që përfaqëson Anna si individ. Nuk më ka shqetësuar fare bindja e prindërve të saj apo qasja e tyre.
Besoj që është një nga armët e mia më të mëdha për të treguar që jam një djalë i moderuar, jam një djalë qytetar, që e pranoj mendimin ndryshe, jam një njeri që nuk kam komplekse, thyej tabu, dhe mbi të gjitha jam një njeri i vërtetë. Unë Annën e kam dashur dhe e dua me zemër. Kam lënë zemrën të vendosë. Padiskutim është krejt normale dhe jam i lumtur”, u shpreh Këlliçi.