Ty, Luiz, më duhet të të kërkoj ndjesë. Të jemi të qartë: personalisht nuk të njoh e gjë nuk të kam bërë. Por, që kur ti fillove të ishe prezent në çdo tavolinë e bisedë, unë jam pozicionuar kundër ngritjes tënde e kundër shumëçka ti përfaqëson. Fillimisht, më acaronte se ti bashkë me një tufë prototipash, shumica jo me ndonjë vlerë të pikasur, që quheshit VIP-a e ecnit mbi tapet të kuq, a thua se çfarë arritjesh kishit. Mendoja se përse shqiptarët duhet të merrnin mundimin e të votonin “qëndrimin tuaj në shtëpi”.
Por kur listat e kandidatëve për kryebashkiakë u bënë publike vura re se, me ndonjë përjashtim të rrallë, ishte e njëjta llogjikë VIP-izimi të pajustifikueshëm të disa tipave me cilësi të diskutueshme. E shumica e shqiptarëve do votojnë, ashtu si në rastin tuaj, për më pak të padurueshmit, me shpresë se zëri i tyre do dëgjohet “nga produksioni”.
Më dukej e pavend dhe e pamerituar që të merrte kaq shumë vëmendje një grup njerëzish veprimet dhe zhargoni i të cilëve linin aq shumë për të dëshiruar. Por, Luiz, ti me shokë veçse i paskeni paraprirë asaj që po na shohin sytë gjatë fushatës elektorale. Fiks si ju, shahen e ofendohen “në kuadër të lojës”. Veçse në vend të “çapaçul” parapreferohet etketimi i rivalëve “zorrë qorre” ose “hale”, pa llogaritur ndonje që pret të rrëmbehen sërish “kallashat”
Si ju, mashtrojnë e manipulojnë në delir publikun e gjorë.
Njëri syresh, madje, pretendon të drejtojë qytetin me premtimin për transport urban falas e tualete publike bri Lanës. Megjithatë, ndryshe nga ti, Luiz, ky kandidati për kryebashkiak të Tiranës, sikur përton të nxjerrë fjalët nga goja. I vetëshpallur “Belo” (me gjasa inspiruar nga telenovela italiane “il bello delle donne”) përdor gjuhën e shenjave – duar e gishtërinj – për të dhënë mesazhe gjithëpërfshirëse e fort vulgare.
Kur njerëzia e mahnitur pas teje, Luiz, tregonte se si ti ishe djalë me shkollë, madje dhe karrierë në diplomaci, vija në pikëpyetje arritjet e tua, prej mundësisë së nepotizmit. Harroja sa e sa politikanë i kemi me titullin “master” e “doktor,” por pa diplomë mature. Me gjasa, kësaj kategorie të lindurish të ditur i përket edhe kandidati bukurosh i të përbashkuarve për kryeqytetin.
As karrierën tënde muzikore nuk e kam vlerësuar fort, Luiz. Më dukej e vagullt. Zëri s’më linte mbresa. Më shumë më bezdiste kënga e jote e fundit, se nuk e evitoje dot, pasi buçiste gjithandej.
Por duhet ta pohoj se ishte më e pranueshme se tallavaja e Vullkanit të përparimit, që e ka zëvendësuar, së fundmi. Pas kësaj, duhet ta pranoj se ke filluar të më dukesh bilbil mbi bilbila. Si shumë të tjerë, pres të mbarojë fushata e të shpëtoj nga kjo torturë akustike, shpesh e shoqëruar me pamje po aq jondjellëse të kërcimdashësve në mitingje. Më fort më ka shqetësuar njehsimi jot me Shkodrën, Luiz. Qyteti me të bukurën, kulturën, humorin e dialektin karakteristik mori vëmendje veç si vendlindja jote. Thua se kjo vatër vlerash nuk kishte qenë në hartën e republikës para se fama jote të kapte këto përmasa.
Edhe në këto zgjedhje lokale, Shkodra po merr vëmendje sikur, më parë, nuk ishte në hartën e Shqipërisë. Është një ndër pak qytete ku pritet garë e mirëfilltë e, ndoshta, ndryshim kahu. E në këtë rast priten investime zhvilluese për Shkodrën. Ka nga ata qe besojnë se edhe autostrada do bëhet, paçka se kjo s’varet nga pushteti vendor. Nëse jo, qyteti do lihet pasdore si ithtar non-gratash, ashtu si do harrohesh ti Luiz, pasi të përfundojë show i jot i stërzgjatur.
Prandaj, Luiz, unë tëhiqem. Ndryshe nga sa kam dashur të besoj, ti nuk je thjesht një i famshëm rastësor, prodhuar nga një format televiziv për të hequr vëmendjen e opinionit publik nga problematikat therëse dhe të paadresuara. Ti je pasqyrimi i pragmatizmit me mjete të justifikuara nga qëllimi, çfarë na ka infektuar. Je simbol i gjetur i gjendjes së mjerueshme të shoqërisë sonë të mashtruar dhe të manipuluar. Je mishërimi par excellence i betejës sonë të humbur me pushtetin dhe veten. Prandaj, më fal, Luiz.