Altin Ketro
Shkodra më 14 maj bëri ndryshimin më të madh në historikun e pluralizmit në Shqipëri. Për herë të parë në 32 vite demokraci, kryetar i bashkisë Shkodër zgjidhet me votë të padiskutueshme e plebishitare, një kandidat me kahje nga e djathta, por që përfaqëson Partinë Socialiste.
Shkodra ka qenë një “mollë e ndaluar” për socialistët. Dhe kjo është e kuptueshme. Por doli një njeri, Benet Beci, djali me origjinë nga Shkodra, por i lindur dhe i rritur në Tiranë, ai që bëri kthesën e madhe.
Kryeministri Rama arriti të godasë në shenjë, duke nxjerrë një kandidaturë që tejkalonte politikën lokale dhe personifikonte një personalitet të pranueshëm për të gjitha palët.
Edi Rama, si kryeministër dhe kryetar i PS, nuk u ngut për asnjë çast ta merrte Shkodrën me forcë. Ai u tregua i duruar deri në ekstrem, ku edhe pse kandidati i tij në vitin 2019 fitoi pa rivalë në garë dhe iku për një kleçkë të së kaluarës, Rama bëri kompromis me veten: Nuk qe e thënë ta fitonim as në tavolinë. Meqë kryebashkiakja në detyrë Ademi, dëshiron ta vijojë detyrën, le ta mbajë. Asnjë betejë, asnjë pretendim, derisa koha të bëjë të veten dhe fitorja të vijë natyrshëm, aq sa edhe kundërshtari të zihet ngushtë.
Dhe Edi Rama u shpërblye për këtë pritje. Sepse Shkodra di të të vlerësojë nëse ti nuk ke ndaj saj qëllim në vetvete për ta “pushtuar” më çdo çmim. Ai e pranoi dhe e respektoi kryebashkiaken Ademi, edhe pse me të pati përplasjet më të forta se me çdo kryebashkiak tjetër të djathtë.
Në aspektin elektoral, gjykoj se për bashkinë Shkodër, Sali Berisha duhet ta kishte lejuar në heshtje PD-në zyrtare që të nxirrte në konkurrim një kandidaturë alternative. Duke qenë në garë vetëm zoti Spahia me sfidantin zotin Beci, atëherë edhe ata të djathtë që nuk e donin Berishën apo kandidatin e tij, ishin të detyruar që votën ta kanalizonin drejt zotit Beci. Kjo mendoj se ia thelloi fitoren zotit Beci në të gjithë Shkodrën, përfshi edhe qendrat e votimit brenda qytetit.
Nga një vështrim i jashtëm që i bëj Shkodrës, mendoj se Berisha gaboi kur në vitin 2022 nuk e la zonjën Ademi ta mbyllte 4 vjeçarin. Edhe sikur ajo të humbte përballë rivales Angoni, një vit në detyrë do ishin të pamjaftueshme që fituesja imagjinare, zonja Angoni, të bënte ndonjë ndryshim rrënjësor. Kështu që Berisha duhet të ishte treguar më largpamës, duke mos e “djegur” zotin Spahia vetëm një vit në detyrë, por ta kishte si kandidaturë rezervë për vitin e plotë zgjedhor, 2023, si një alternativë e re dhe e paprovuar.
Në historikun 32 vjeçar të zgjedhjeve vendore, Shkodra është nga të vetmet bashki që nuk ka rikonfirmuar në detyrë një kryebashkiak për një mandat të dytë. Është rast studimor sesi një bashki bastion si ajo e Shkodrës, nuk ia ka besuar një kryeabashkiaku të PD-së, dy mandate radhazi.
Prandaj, nisur nga kjo, zoti Beci, përveç rekordit të ri që vuri duke fituar në Shkodër si përfaqësues i PS-së, ka për detyrë që të thyejë edhe rekordin tjetër, atë të rikonfirmimit për herë të dytë në detyrë.
Por deri në vitin 2027 ka ende kohë për sprova. Tani nis puna që zoti Beci dhe kryeministri Rama, të tregojnë që e kanë merituar fitoren dhe besimin bujar që Shkodra u dha, duke punuar fort për të, për ta kthyer Zojën Shkodër si destinacion turistik, aq i munguar për këtë bashki me natyrë të mahnitshme.