Herën e fundit që Bashkia e Beratit ka pasur një kryebashkiak të Partisë Demokratike ka qenë viti 2000. Që nga ajo kohë e më pas, qyteti i Beratit dhe ish-komunat përbërëse të bashkisë së re kanë votuar socialistët me rezultate gjithnjë e më të thella. Në vitin 2007, rezultati i votave mes kandidatëve të majtë dhe të djathtë ishte 47 me 43%. Në vitin 2021, rezultati ishte 53 me 39%. Opozita bëri një garë disi më dinjitoze në vitin 2015, kur kandidati i saj, Kasëm Mahmutaj, arriti të marrë gati 50% të votave të vlefshme në qytetin e Beratit, përballë kandidatit fitues Petrit Sinaj të LSI-së. Mahmutaj humbi gjithsesi me rezultat shumë të thellë komunat përbërëse të bashkisë së re dhe rezultati final në nivel bashkie doli ai i zakonshmi.

Në zgjedhjet e vitit 2011, kandidatët socialistë arritën të fitonin përballë kundërshtarëve të tyre PD dhe LSI, përveç qytetit të Beratit edhe tre nga katër komunat përbërëse të bashkisë së re ndërsa edhe në vitin 2007, kur demokratët ishin në revansh në të gjithë vendin, bashkia e qytetit dhe tre komuna u fituan nga PS, njëra u fitua nga LSI. Me pak fjalë, duket sikur asgjë nuk mund t’i ndryshojë mendjen banorëve të Beratit për të votuar ndryshe nga PS. Berati është një bashki me 81 mijë votues, nga të cilët, 64% jetojnë në qytetin e Beratit ndërsa pjesa tjetër, në zonat rurale të ish-komunave, Velabisht, Otllak, Sinjë dhe Rroshnik.

Kandidati socialist Ervin Demo, një pedagog i ekonomisë dhe ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Arsimit, garon në zgjedhjet e 14 majit për një mandat të dytë si kryetar bashkie në Berat. Përballë tij është Zija Ismaili, një mjek ligjor që garon për koalicionin opozitar Bashkë Fitojmë. Që të dy kandidatët kanë lindur në Berat e kanë punuar për një kohë të gjatë në Tiranë, një element ky që vë në dukje kontrollin e politikës lokale nga qendra. Këshilli Bashkiak i Beratit ka 31 anëtarë. Në garë janë dhjetë parti që kanë paraqitur lista me 322 kandidatë.

Bashkia e Beratit shtrihet në një zonë fushore dhe kodrinore, e cila konsiderohet si një nga më pjelloret e Shqipërisë. Qyteti historik i Beratit u godit rëndë nga trazirat e vitit 1997 dhe pa popullsinë e vet të zvogëlohet me shpejtësi. Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia e qytetit ra me 17% mes viteve 2001 dhe 2011. Popullsia faktike aktuale nuk dihet për shkak se censusi i vitit 2021 është shtyrë dhe pritet të zhvillohet vetëm në vjeshtën e këtij viti. Popullsia votuese në territorin e bashkisë, gjë që mund të shërbejë si matës indirekt i popullsisë së pranishme, shënoi kulmin në vitin 2015 me 36 mijë vetë dhe ra në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 në 35 mijë vetë.

Ekonomia e zonës mbështetet te një bazë e vogël industriale që punon me material të porositur nga jashtë (fason), si dhe te një numër i vogël bujtinash për turistët që vizitojnë qytetin, i cili është shpallur Trashëgimi Botërore e Njerëzimit nga UNESCO në vitin 2008. Zonat rurale janë të mirënjohura në vend për prodhime fushe, sera, vreshta dhe ullinj si dhe kantina vere, të cilat janë në zhvillim.