Sali Berisha gjen justifikime të ndryshme vetëm që të mos pranojë disfatën e zgjedhjeve të 14 majit. Këtë herë përmend Dan Hutrën si pjesë të krimeve zgjedhore. Sipas tij, vrasësi i grave që u burgos 2 muaj para zgjedhjeve ishte patronazhist dhe vidhte vota për Rakip Sulin.

Berisha bën këtë deklaratë duke u bazuar në mesazhin e qytetarit dixhital siç bën zakonisht por që shpesh herë kanë rezultuar mashtrime.
“Do ju sjell mesazhin e një qytetari nga Kamza: Zoti Berisha, do ju vë në dijeni të një fakti kriminal të masakrës elektorale në Kamëz. Vrasësi famëkeq i grave, Dan Hutra, ishte punësuar në ujësjellësin e Kamzës në këmbim të mbledhjes së votave për Rrakip Sulin. Vrasësi i grave, natën vidhte banesa, kurse ditën vidhte vota dhe kërcënonte me jetë demokratët që të mos dilnin në votime. Pas masakrës ndaj grave, Rakip Suli ka zhdukur dosjen e Dan Hutrës. Ka dëshmi dhe fakte se Dan Hutra drejtonte një nga bandat kryesore të mbledhjes së votave për Rakip Sulin. Në Këshillin Bashkiak të Kamzës, ka pasur propozim për t’i vendosur emrin e Dan Hutrës një rruge në Kamëz.

Propozimi është zhdukur me shpejtësi nga banda e Bashkisë së Kamzës. Rakip Suli i kishte dhuruar Dan Hutrës në pallatet që po ndërton Arben Maloku, që ka bërë një masakër me votat e Zall Herrit.

Dan Hutra figuronte patronazhist i PS-së, kreu i një grupi kokaine në Holandë. Kishte nisur të pastronte paratë në ndërtim. Sot kontrollon trafikun e drogës dhe votave nga burgu. I vetëm i burgosur që shpenzon deri në 5 milionë lekë në muaj. Praktikisht Dan Hutra është drejtori i burgut të Rilindjes.”, tha Berisha.