“Lojtarët e Partizanit nuk kanë dalë në seancën e sotme stërvitore duke bojkotuar para derbit me Tiranën”, ky është lajmi që u përhap me shpejtësi në vendin tonë duke i befasuar të gjithë.

Sipas medieve online raportohej se futbollistët nuk kishin dalë në stërvitje për shkak të rrogave të pamarra prej 3 muajsh. Por, në fakt e vërteta është plotësisht ndryshe. Burime të sigurta bëjnë me dije për Neësport.al që trajneri Giovanni Colella kishte zgjedhur që dita e sotme te ishte pushim për shkak të javës së ngarkuar. Duke qenë se seancat stërvitore ishin intensive, italiani kishte zgjedhur të shtunën për të pushuar muskujte lojtarëve. Kësisoj nuk ka asgjë të vërtetë sa i takon bojkotit para derbit me Tiranën.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se presidenti Gaz Demi ka takuar sot lojtarët e Partizanit. Madje kreu i klubit ka preferuar të qëndrojë dhe të drekojë me ta para supersfidës me Tiranën. Si rrallëherë, ai ka qenë pranë lojtarëve duke i motivuar në këtë mënyrë për ndeshjen e së mërkurës.

16 herë kampionët e vendit luajnë kundër Tiranës në “Air Albania”, të mërkurën në oren 18:30. Ndryshe sa u raportua atmosfera është pozitive dhe të gjithë janë gati për të dhënë maksimumin e tyre në një sfidë që luhet gjithë sezoni.