Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i bëri thirrje bllokut t’i japë fund shmangies së sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.
“Ne duhet të ndërpresim qarqet për shmangien e sanksioneve sepse përndryshe sanksionet dobësohen,” tha ai në një konferencë shtypi pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.
Kryeqytetet e BE-së ende nuk kanë rënë dakord për masat e reja ndëshkuese kundër Rusisë që synojnë të godasin evazionin e sanksioneve përmes vendeve jashtë bllokut si Kazakistani, Armenia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gjermania dhe Lituania duan të dërgojnë mesazhin se thyerja e sanksioneve të BE-së ka pasoja, ndërsa bisedimet vazhdojnë për një raund të ri masash ndëshkuese për disa vende dhe kompani.
“Nuk duhet të ketë shmangie të sanksioneve”, tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, duke theksuar se “edhe nëse kompanitë individuale eksportojnë materiale armësh, kjo duhet të ketë pasoja”. Sanksionet kanë një kosto të lartë për BE-në, tha ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis.