Kati i parë i varrezës Memorial Necropole Ecumenica në qytetin Santos ku është varrosur futbollisti legjendar brazilian Pele, u hap për vizitorët.
Në katin e parë të varrezës me 14 kate të projektuar posaçërisht për varrin e Pele-s, krahas mauzoleut madhështor të legjendës ndodhen edhe fanellat e Santos, kombëtares së Brazilit dhe ekipeve New York Cosmos, ku ai ka luajtur gjatë karrierës së tij të futbollit.
Djali i Pele-s, Edinho në një fjalim tha se është i lumtur që mauzoleu i babait të tij është hapur për publikun. “Ende kemi dhimbje të madhe. Na mungon shumë por në të njëjtën kohë jemi shumë krenarë për dashurinë dhe respektin e madh që ka marrë”, tha ai.
Edinho tha se varri i babait të tij është projektuar me një kujdes dhe dashuri të madhe. “Është një moment i paharrueshëm për familjen tonë. Mbreti do të përkujtohet këtu përgjithmonë. Ka dalë fisnik, i thjeshtë dhe i bukur”, u shpreh ai.
Vizitorët në hyrje priten nga 2 statuja në ngjyrë të artë të Peles dhe brenda tij me fotografi të admiruesve të legjendës. Mauzoleu i Pele-s do të mund të vizitohet në mëngjes nga ora 09:00 deri në orën 12:00 ndërsa pasdite nga 14:00 deri në orën 18:00.
Pele, emri i vërtetë i të cilit është Edson Arantes do Nascimento, ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare më 29 dhjetor 2022 në spitalin ku ai trajtohej.