Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë për qeverisjen e Bashkisë së Bulqizës, e cila u fitua nga koalicioni PS-LSI fillimisht nga Melaim Damzi në vitin 2015 dhe më pas nga Lefter Alla më 2019. Kësaj here socialistët garojnë një grua, Festime Mjeshtrin, jetëshkrimi i së cilës nuk është i gjendshëm online. Përballë saj, kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë Dëfrim Fiku, i cili ka qenë kryetar i komunës Zerqan para vitit 2015.
Bashkia e Bulqizës shtrihet në një zonë malore në Shqipërinë qendrore dhe është një zonë kryesisht minerare. Banorët kanë votuar kryesisht Partinë Demokratike në të shkuarën, por gara është bërë më e barabartë së fundmi. Në zgjedhjet e vitit 2021, socialistët arritën të fitojnë me një shumicë të lehtë përballë demokratëve dhe LSI-së, ndërsa dy punonjës të Bashkisë Bulqizë u arrestuan nën dyshimin për blerje votash.
Numri i votuesve në bashki është rritur nga 28 mijë në vitin 2011 në gati 30 mijë në zgjedhjet aktuale ndërsa numri i pjesëmarrjes në votime ka rënë nga 17 mijë në 15 mijë, duke reflektuar shkallën e emigrimit. Rënia e numrit të votuesve duket se ka prekur të dyja palët njësoj.
Bashkia Bulqizë ka në përbërje 8 Njësi Administrative, të cilat janë: Bulqizë, Martanesh, Fushë-Bulqizë, Zerqan, Shupenzë, Gjoricë, Ostren dhe Trebisht. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Bulqizës dhe qarkut të Dibrës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Bulqiza dhe Krasta) dhe 63 fshatra.
Bulqiza dhe Krasta janë dy qytete të ndërtuara gjatë kohës së Komunizmit në funksion të shfrytëzimit të kromit. Fshati Zerqan ka qenë para zhvillimit të qytetit të Bulqizës kryeqendra e nënprefekturës që mbante të njëjtin emër.