Arian Gosa, 48 vjeç, ka humbur jetën teksa një person e ka qëlluar me plumb në kokë. Viktima ka qenë i shoqëruar me të atin e tij, Osmanin dhe kanë qenë të ulur në një tavolinë të një lokali disa metra larg qendrës, por në rrugën kryesore.
Autori, sipas të dhënave është larguar në këmbë, ndërkohë që askush nuk di të thotë nëse ka qenë i maskuar apo jo. Policia e Shtetit i tha “Panoramës” mbrëmë se në kafenenë ku ishin babë e bir nuk kishte kamera dhe nuk ka qenë i pranishëm asnjë klient tjetër në lokal, për të dëshmuar mbi pamjen vizive të vrasësit. Po ashtu, të njëjtat burime zyrtare bënë me dije se lokali ku ishin baba e bir nuk kishte kamera, e për pasojë nuk gjendet asnjë pamje filmike ku mund të fiksohet ndonjë person i dyshuar. Menjëherë është vënë në lëvizje Policia, por duke u fokusuar në pistën e hakmarrjes, ata kanë organizuar kontrolle nëpër banesat ku dyshohet se mund të jetë strehuar edhe personi që i mori jetën Gosës.
Konkretisht, bëhet me dije se janë dy familje, të cilat në kohë të ndryshme, nga konflikte të ndryshme kanë humbur njerëzit e tyre në përplasjen me djemtë e familjes Gosa. Policia iu referohet dy ngjarjeve, me tre të vdekur, ku njëri nga viktimat ka qenë vëllai i vogël i viktimës së djeshme, për të gjetur edhe autorin dhe shkaqet e vrasjes së 48-vjeçarit. Në ndihmë të Policisë së Kavajës mësohet se kanë shkuar grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat kanë marrë në dorë situatën e kontrolleve të banesave dhe të objekteve ku dyshohet që mund të jetë fshehur autori i vrasjes.
E vetmja shpresë për të hedhur dritë mbi pamjen vizive të autorit të krimit ishte vetëm babai i viktimës, Osman Gosa, i cili për orë me radhë nuk ka mundur të tregojë asnjë detaj të vlefshëm në lidhje me pamjen e jashtme të personit që i mori jetën djalit të tij në tavolinën ku po pinin kafe. Por rreth orës 22.00 policia ka bërë me dije se ka shpallur në kërkim një person, i cili dyshohet si autori i atij krimi. Bëhet fjalë për Habib Rexhën, vëllai i Altin Rexhës që u masakrua me thika nga vëllai i viktimës së djeshme.