Prima Balerina Aleksia Velo ka dhënë një intervistë në emisionin ‘Impact’ ku ka rrëfyer rrugëtimin e suksesshëm të karrierës së deritanishme duke filluar nga momentet e para të rrugës së artit dhe Baletit që nis që në periudhën e fëmijërisë.

Rrugëtimin e saj si Balerinë, siç tregon vetë Aleksia, e ka nisur që në moshën 12 vjeçarë dhe pas shumë vitesh punë e disiplinë ka arritur të jetë në majë si Prima Balerina.

E pyetur nga gazetarja lidhur me një vlerësim që ka për balerinat shqiptare dhe për mbajtjen e kurorës, Aleksia është shprehur se: “Unë i vlerësoj të gjitha balerinat shqiptare. Kurora është pak e vështirë të mbahet. Për punën dhe çdo lloj gjëje tjetër që arrijnë kam shumë respekt. Kaq mund të them.”

Si çdo individ i suksesshëm edhe Prima Balerina si Aleksia Velo patjetër që ka një model i cili e ka frymëzuar në arritjet e saj. Prima Balerina e Balshoit, Svetlana Zakharova është modeli që Aleksia ndjek madje ende sot ndjek ushtrimet e saj.

“Unë i kam pak standardet e larta dhe shoh balerina që janë të arrira, të suksesshme. Do veçoja Svetlana Zakharovaqë është Prima Balerinë Balshoi. Nga ajo e kam marrë modelin, aty i marr dhe ushtrimet jashtë orarit. Mund ta shikoni Aleksian duke bërë ushtrime dhe në tre të natës nuk është ndonjë çudi, shprehet Prima Balerina si Aleksia Velo.