Carlo Ancelotti foli për mediat në konferencë shtypi, e para pas disfatës ndaj Manchester City në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Trajneri italian konfirmoi se klubi i ka garantuar të vazhdojë sezonin e ardhshëm.
Bilanci i sezonit – “Mund të bëhej më shumë, por ka qenë i mirë. Sigurisht që nuk jemi të kënaqur me La Liga-n, por kemi luftuar deri në fund në garat e tjera… dhe kemi fituar tri prej tyre”.
Eliminimi në Champions – “Qartësisht është një eliminim që dhemb, por nuk duhet të harrojmë se ishte gjysmëfinale. Kemi qenë afër një tjetër finaleje, jemi të lënduar…, por ndonjëherë mund të gjesh një ekip që bën më mirë se ti. Tashmë duhet të shikojmë nag Champions-i i ardhshëm”.
Tranzicioni veteranë-të rinj – “Pyetje e mirë. Është e vështirë për mua të përgjigjem, por po… Mendoj se tranzicioni nuk do të fillojë sezonin e ardhshëm. Para se të mbërrija, kjo skuadër, e cila ka bërë gjëra të mëdha, filloi të humbasë pjesë të çmuara, qysh kur Cristiano iku më 2018. Prej aty kanë filluar të vijnë të rinj me cilësi të lartë. Të gjithë lojtarët përfundojnë duke u zëvendësuar me futbollistë me cilësi të jashtëzakonshme. Pas dy vitesh, Vinicius është titullar i padiskutueshëm, Camavinga ka filluar të hyjë në ingranazhet e formacionit titrullar, Rodrygo nga pankina… Duket sikur tranzicioni duhet të fillojë sezonin e ardhshëm, por tashmë ka filluar. Të rinjtë do të kenë më shumë rëndësi. Do të vijë dita kur Modric, Benzema, Nacho, Carvajal… të pushojnë së luajturi për këtë ekip”.
Benzema – “Nuk ka kuptim të dyshosh për të. Pati një ndeshje të keqe në ‘Etihad’, por jo vetëm ai. Karim është ende një legjendë e këtij klubi. Skuadra nuk ishte mirë të mërkurën, jo vetëm Karim”.
Rinovimet (Ceballos, Asensio, Nacho…) – “Duhet seriozitet, profesionalizëm…, po flasin me klubin dhe do ta marrin vendimin kur të duan”.
Ferland Mendy – “Natyrisht që unë dua të qëndrojë sezonin e ardhshëm. Sezonin e kaluar tregoi qëndrueshmëri në mbrojtje, uroj të rikuperohet shpejt dhe të jetë përsëri i rëndësishëm”.
Interesi i Brazilit – “Mendoj se të gjithë e dinë se cila është situata ime dhe se dua t’i shkoj deri në fund kontratës me Real Madridin. Deri në vitin 2024 dua të vazhdoj këtu…”
Biseda me Florentino Perez – “Dje patëm një takim. Më tregoi mbështetjen e tij dhe biseduam për ndeshjen e së mërkurës. Ne vazhdojmë me të njëjtin iluzion për t’i bërë gjërat më mirë. A më ka garantuar klubi se do ta përmbushim kontratën? Po”.
Si e sheh ekipin – “Ne jemi të përgatitur, me të gjithë lojtarët në dispozicion. Në këto dy ditë jemi përpjekur të rikuperojmë ndjesitë tona… Nesër kemi një mundësi për t’i bërë gjërat mirë. Duam ta përfundojmë mirë sezonin, duke dhënë gjithçka në këto katër ndeshje të mbetura”.
Një “9” dhe roli i Benzema – “Nuk është koha për të folur për sezonin e ardhshëm. Ne folëm me klubin, por tani për tani po vlerësojmë vetëm atë që ndodhi të mërkurën dhe më parë, në dy sezonet e fundit. Tashmë po flasim për të ardhmen, por nuk është ende momenti të jap indicie merkatoje. Ndeshja në Manchester ishte shumë e keqe dhe jemi të lënduar. Deri aty ishte një sezon shumë i mirë. Edhe sezoni i mëparshëm ishte i paharrueshëm”.