Deputetja e PD-së, Flutura Açka, apelon për një lëvizje të re politike pas humbjes së opozitës në zgjedhjet lokale të 14 majit. Përmes një postimi në rrjetet sociale ajo shkruan se nëse nuk nis shpejt një lëvizje e re opozitare atëherë do të ketë një thyerje të demokracisë shqiptare.
Açka thekson se ata që fituan dhe ata që humbën janë duart e pista të cilët po vjedhin dhe joshin shpresat e shqiptarëve. Duke ju referuar zgjedhjeve të 14 majit, ajo akuzoi opozitën dhe mazhorancën se janë bashkë si në fitore ashtu dhe në humbje. Sipas saj për këtë arsye nuk ka një reflektim nga ana e opozitës pas humbjes skandaloze të zgjedhjeve vendore. Ajo shtoi më tej se është pjesë e këtij sistemi që funksionon pa zemër, por vetëm me racio pushteti.
Açka tha ndër të tjera se demokracisë shqiptare ju bë komploti që në vitin 2008 me bashkëpunim nga dy palët politike më të mëdha në vend. “Fitimtarë pa moral, të mundur pa turp! Kjo është arsyeja pse parlamenti i së enjtes nuk kishte asnjë zë në rendin e ditës që të përfshinte diskutime. E pra: tri ditë pas zgjedhjeve! Kjo është arsyeja pse pas dy muajsh paralizë totale të shtetit dhe Parlamentit, ai do të ketë sërish javë të gjelbër. Nëse shumë shpejt nuk nis një lëvizje e re opozitare, jopolitike por mirëfilli politike, thyerja e demokracisë shqiptare do të jetë fatale. Këta fitimtarë e këta humbës janë duart e pista të një trupi të përmutur, në mos të vdekur, që kutërbon. Që vjedhin vullnete. Që blejnë shpirtra. Që joshin naivitete. Që vrasin shpresa. Që mashtrojnë besimtarë. Që ndërsejnë fanatikë. Që miqësojnë kriminelë. Që rehatojnë të korruptuar.
Jam pjesë e saj, e di. Por urrej t’i ngjaj, i rri larg për higjienë politike. Nuk e dija që ishte mekanizëm, pa zemër. Vetëm me racio pushteti. Fitimtarët dhe humbësit ishin bashkë në betejë, janë bashkë edhe në fitore. Arsyeja pse nuk ka asnjë grimë reflektim. Sepse njërit po t’i shkasë këmba, trondit bashkësinë. Na duhet t’ua shpjegojmë këtë shqiptarëve. Po ua shpjegoj bashkë me keqardhjen e thellë. Me këtë sistem që këta i komplotuan demokracisë shqiptare më prill 2008, nuk ka shërim. Na duhet një shkundje e vërtetë morale, dhe kjo nuk bëhet vetëm. Çdo mbërtheckë tjetër e nivelit liliput, vetëm shtrëngon vidat e këtyre, vetëm grasaton mekanizmin e ndryshkur politik që këta i sajuan demokracisë shqiptare, e cila sot ngjan si një pajisje që bën zhurmë tek ecën nga zhvidhosja”, shprehet deputetja e PD-së Flutura Açka. Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, reagoi pas rezultatit dëshpërues të PD-së dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet e 14 Majit.
Krah fotos së “Shqipërisë rozë”, Açka e trishtuar nga ky rezultat kërkoi që përgjegjësit të pranojnë humbjen dhe të largohen, dhe jo të kërkojnë alibi. Sipas deputetes pjesë e humbjes së opozitës në këto zgjedhje janë dhe ata personazhe të cilët të paguar nga mazhoranca “ngopën të djathtët” me gënjeshtrën e madhe të rilindjes blu. “E trishtueshme për ne: humbësit dhe babadumsat. Tani fajtorët të ikin në shtëpi, jo të kërkojnë alibi. Jo Shqipërinë nuk e fituam, por Himarën e ‘helenizuam’ dhe Tropojën të kërcejë tallava e detyruam. Pjesë e humbjes sonë janë edhe showsman-ët dhe showwoman-et e mbrëmjeve tona politike, që i ngopën të djathtët me rrenën e madhe të rilindjes blu nëpër ekranet bujare me para e pabesi të dhuruara nga banda mavi. Keni moral të flisni ende ju për demokraci?!”, shkruan Açka.