Stadiumi “Niko Dovana” në Durrës është infrastruktura tjetër sportive pas Stadiumit të Korçës, që do të transformohet në një qendër të re shumëfunksionale për qytetin, ku jo vetëm do të ofrohen kushte optimale për kompeticionin kryesor, futbollin, por edhe biznesi e argëtimi do të kenë hapësirat e tyre të dedikuara, ku të ketë atraksione për të gjithë ata që vizitojnë Durrësin.
Gara e hapur ndërkombëtare, e shpallur në muajin shkurt të këtij viti përzgjodhi në fazën finale tre studio prestigjoze të arkitekturës 51N4E (Belgjik) Bjarke Ingels Group, BIG (Danimarkë) dhe MVRDV(Holandë) për të prezantuar publikisht propozimet arkitektonike para një jurie me personalitete ndërkombëtare të fushës.

Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot çeljen e finales, ku mes tre alternativave jashtëzakonisht interesante, do të përzgjidhet vetëm njëra prej tyre.

Më vjen shumë mirë që sot kurorëzojmë një proces të nisur prej kohësh si një dëshirë pastaj të shpallur si një pjesë e programit dhe pastaj të vazhduar si një proces konkursi ndërkombëtar, ku morën pjesë shumë studio në fazën e parë dhe tanimë për finalen mes tre studiosh prestigjioze në skenën e arkitekturës bashkëkohore për stadiumin e ri të qytetit të Durrësit, i cili nuk është thjesht një stadium, parë në këtë vizion tonin, po është një qendër tjetër. Një qendër e re e qytetit ku synimi është që të kemi kushtet optimale për kompeticionin kryesor që është futbolli, por të kemi kushte optimale për të pasur një qendër plot jetë 24 orë në 7 ditë të javës. Ku të ndërthuren të gjitha rrugët e jetës për komunitetin durrsak dhe ku të ketë atraksione për të gjithë ata që vizitojnë Durrësin apo dëshirojnë të vizitojnë Durrësin.
Nuk dua të zgjatem, dua thjesht të uroj që do të kemi sot një tjetër projekt spektakolar si ai që sapo kemi zgjedhur në Korçë, ku kemi pasur tre alternativa jashtëzakonisht interesante, por natyrisht ku kemi qenë të detyruar siç do të jemi dhe sot të zgjedhim vetëm njërën prej tyre. Dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që morën pjesë dhe posaçërisht finalistët që i kushtuan energji, kohë dhe angazhim këtij projekti. Dua të falënderoj shumë edhe anëtarët e jurisë, posaçërisht miqtë që kanë pranuar ftesën tonë për të na ndihmuar në këtë vendimmarrje të cilët janë personalitete në fushën e arkitekturës, urbanistikës dhe të mendimit bashkëkohor për zhvillimin arkitektonik dhe urbanistik.

Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Durrësit se ne jemi shumë të vendosur që të bëjmë për Durrësin shumë më tepër akoma. Durrësi është në një moment fantastik kthese të madhe. Unë besoj siç është e gjithë Shqipëria, në fakt, po Durrësi ka përpara një të ardhme e cila është gjithmonë e më e afërt dhe patjetër shumë domethënëse, shumë kuptimplotë me një perspektivë shumë të qartë për qytetin, për komunitetin, për ata që do të vijnë më pas.

Në fushën e sportit ne duam të bëjmë shumë më tepër. Ky është njëri nga projektet. Projekti tjetër është ai që solli në vëmendje këtu dhe kryetarja e bashkisë dhe ministrja dhe presidenti i Federatës, një projekt shumë ambicioz për ta kthyer Durrësin dhe në një destinacion të talenteve në shkallë kombëtare dhe rajonale. Akademia e Manchester City-t në Durrës dhe shkolla e futbollit, këtë synojnë.
Kemi marrë ekskluzivitetin që të kemi këtu një qendër për të gjithë rajonin, për të gjitha vendet e Ballkanit edhe më gjerë. Do të jetë një destinacion për talente nga gjithë rajoni dhe nëse do të bëhet një akademi e dytë në Ballkan, ne do të jemi partnerë. Bashkia e Durrësit do të jetë partnere gjë që besoj është goxha domethënëse. Natyrisht kjo hap një perspektivë tjetër, por le ta marrim me radhë.
Hapi paralel është që ne duhet të ngremë grupin tonë këtu, Durrës City, siç janë të gjitha grupet që Manchester City ka në sistemin e vetë, që nga NewYork City, Melbourne City te Montevideo City e kështu me radhë dhe Durrës City do të jetë një bërthamë që sigurisht do të zhvillohet në të ardhmen si një skuadër më vete.

Ajo që është e rëndësishme të theksohet është që akademia dhe shkolla e futbollit i shërbejnë të gjitha klubeve në Shqipëri. Ky është një moment shumë interesant i këtij modeli. Akademia nuk është ekskluzive për talente dhe lojtarë të vegjël apo të rinj që duke u futur aty i përkasin detyrimisht Manchester City-t. Akademia është në shërbim të të gjitha klubeve të cilat sigurisht bazuar në seleksionimin që bëhet nga përgjegjësit e akademisë, çojnë sportistët e tyre dhe pastaj sportistët e tyre të rinj kthehen në klube me, si të thuash edukimin dhe zhvillimin e talentit që kanë përfituar nga akademia. Natyrisht që pastaj nëse ka talente që iu përkasin klubeve të tjera dhe që Manchester City është i interesuar, ata zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta me ta.

Dua ta mbyll këtë pjesë duke sjellë në vëmendje diçka që e kam mësuar nga presidenti Duka. Numri i të rinjve, i fëmijëve, i djemve të rinj që kanë të regjistruar në sistemin e futbollit në Shqipëri, në atë sistem që ende ka nevojë që të formësohet, që të strukturoret si duhet, kur vjen puna tek akademitë, tek shkollat, tek shoqatat dhe i atyre që janë të regjistruar në sistemin e futbollit europian në Itali, në Gjermani, në Zvicër e kështu me radhë është marramendës. Janë mbi 100 mijë të rinj, djem, fëmijë shqiptarë që janë të regjistruar në sistemet futbollistike europiane dhe ne besojmë shumë që talenti në Shqipëri dhe në të gjithë, po themi familjen tonë kombëtare që shkon dhe përtej Shqipërisë, i cili duhet mbështetur dhe duhet zhvilluar, përbën bazën e një perspektive fantastike jo për futbollin, por siç e mësuam dhe nga finalja e Conference League për Shqipërinë, për imazhin, për ekonominë, për turizmin e për të gjitha këto me radhë.

E patjetër që ne do të vazhdojmë më tutje me Federatën edhe për pjesën e krijimit të sistemeve të mbështetjes që janë në radhë të parë fushat e futbollit. Kryetari i bashkisë e tha, kemi folur për këtë në çdo njësi administrative. Ne do të kemi një fushë të dedikuar futbollit dhe pak nga pak edhe komplekse më të artikuluara sesa thjeshtë një fushë futbolli.

Kështu që edhe një herë shumë faleminderit edhe për praninë tuaj të gjithëve. Ju siguroj që nuk do të mërziteni sepse finalet e konkursit të arkitekturës janë realisht si spektakle dhe të ballafaqohesh me vizione të ndryshme arkitektësh kaq të mirë sa këta që marrin pjesë në këto tre finale është vërtetë një kënaqësi për syrin edhe është një ushtrim shumë i mirë për mendjen, për ta imagjinuar qytetin, për ta imagjinuar të ardhmen nëpërmjet syve të atyre që me talent edhe me kurajë na hapin rrugën drejtë shikimit të së ardhmes, të cilën natyrisht duhet ta ndërtojmë të gjithë së bashku.
Natyrisht këtu Presidenti e theksoi, bëhet fjalë për të krijuar sinergji mes qeverisë, bashkisë, federatës dhe sipërmarrjes sepse siç e tregoi dhe stadiumi Air Albania në Tiranë, këto janë projekte dhe janë sipërmarrje të cilat nuk mund të përballohen dot vetëm nga buxheti i qeverisë, apo nga buxheti i federatës, apo nga buxheti i bashkisë, apo nga të tre së bashku dhe mbi të gjitha, ajo që është më e rëndësishme është ajo që vjen pas, menaxhimi i tyre dhe vënia e tyre në dispozicion të komunitetit, gjë që më mirë se sipërmarrja nuk e bën askush tjetër. Kështu që dhe ky komponent është shumë i rëndësishëm në këto projekte dhe në sipërmarrjet tona.