Tirana ka vendosur një tjetër gurë të rëndë për titullin kampion në Superligë, pasi këtë javë ka mposhtur 1-3 Laçin kur kanë mbetur edhe 2 ndeshje deri në mbyllje të sezonit. Në Kurbin bardheblutë zhbllokuan nga distanca falë golashënuesit Florent Hasani, ndërsa në pjesën e dytë ‘dopietë’ e mesfushorit Ardit Hila, një tjetër i munguar në derbi, vulosi 3 pikët pavarësisht golit të nderit nga Laçi.
Bardheblutë vijojnë të kryesojnë kampionatin me 2 pikë më shumë se Partizani ndjekës pavarësisht se të kuqtë mposhtën 2-1 Vllazninë në ‘Arenën e Demave’ në kryeqytet. Të besuarit e Colella-s realizuan fillimisht me Rrapajn, ndërsa po brenda pjesës së parë Eljon Sota dyfishoi. Në pjesën e dytë shkodranët ngushtuan diferencën me Balajn, por goli nuk vlejti më shumë se sa për statistikë.
Kjo humbje i rrezikon edhe vendin e katërt Vllaznisë, pasi Teuta është ngjitur në vendin e pestë falë fitores 1-0 kundër Kastriotit. Për durrsakët të cilët tani tentojnë europën golin 3 pikësh e realizoi Beqja në pjesën e parë, ndërsa për Kastriotin kjo ishte një goditje e rëndë në luftën për mbijetesë.