Kryetari i Bashkisë së Tiranë është paraqitur ditën e sotme në GJKKO ku do të mbahet seanca e parë lidhur me padinë e tij kundër ish kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit ka hedhur akuza në drejtim të Veliaj, duke thënë se “ai ka bërë udhëtime sekrete në Iran dhe se janë shqetësuar vendet partnere”. Veliaj i ka konsideruar këto akuza si të pavërteta për këtë arsye e ka paditur Berishën me akuzën për shpifje. Report TV mëson se Berisha nuk është në seancë.

Pak ditë më parë, Sali Berisha hodhi akuza ndaj Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në lidhje me inceneratorin e Tiranës dhe të ashtuquajtura “lidhje” të tij me Iranin. Për të gjitha këto akuza, kryetari i bashkisë ka paraqitur një padi penale pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me të dëmtuar akuzues Erion Veliaj dhe me të akuzuar Sali Berisha. Sipas tij, Veliaj po pastron paratë e Gardës Revolucionare të Iranit.

“Ju tregoj unë histori me Iranin. Personi që ka bërë vizita të përsëritura është Erion Veliaj. Ke qenë ti apo jo, nuk e di? Por ai ka qenë në Iran dhe ka bërë shqetësim për vendet partnere. Ministri i juaj i Jashtëm ka qenë në Iran”, ka thënë më herët Berisha.