Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako në takimin me banorët e Spitallës, fillimisht ka falënderuar socialistët e thjeshtë dhe të gjithë qytetarët e Durrësit, të cilët sipas saj kanë qenë mbështetje e madhe në rrugëtimin e saj 3-vjecar në krye të bashkisë.
Kryebashkiakja Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit, tha në takimin me banorët e Spitallës se puna në këtë zonë është përqendruar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ku nga 40 km rrugë gjithsej, 12 km janë bërë vetëm në Spitallë. Në këtë zonë është në përfundim edhe lagjja e re e Spitallës, ku 1 mijë apartamente do të shpërndahen brenda këtij viti për familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti dhe familjet e pastreha.
Në zonën e Spitallës është mbyllur edhe kanali i ujërave të larta, ndërkohë që e gjithë sipërfaqja e tij përgjatë 2 kilometrave do të kthehet në një park urban me gjelbërim, pistë bicikletash dhe mjedise rekreative.