Belind Këlliçi nuk është i vetmi kandidat i koalicionit Berisha-Meta që ka mashtruar me shkollimin dhe diplomën e gjimnazit. Krahas Këlliçit, i cili nuk ka një diplomë të shkollës së mesme sepse ka përfunduar vetëm 4 nga 5 vitet e ciklit në Institutin “Harry Fultz”, së fundmi rezulton se edhe kandidati për Bashkinë e Kamzës, Arjan Hoxha, ka falsifikuar diplomën e tij.

Kërkesës së drejtorit të Përgjthshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2014, kryekomisar Dritan Zoto i përgjigjet se ish-shefi i Sektorit të Krimit Ekonomik në Policinë e Qarkut Tiranë, Arjan Hoxha ka falsifikuar diplomën. Ky është akti i verifikimit të vlefshmërisë të nënshkrimit në emër të Luan Veliqotit në dokumentin “listë-notash” të shtetasit Arjan Hoxha.

Pas kryerjes së ekspertizës shkencore u vërtetua se ish-shefi i Sektorit të Krimit Ekonomik në Policinë e Qarkut Tiranë, Arjan Hoxha, ka falsifikuar nënshkrimin e ish-Drejtorit të Akademisë së Rendit Luan Veliqoti.

“Nënshkrimi në emër të Luan Veliqotit, objekt ekspertimi u ekzaminua me mjete tekniko – shkencore, ku u nxorrën karakteristikat e përgjithshme dhe të veçanta shkrimore të cilart u krahasuan me karakteristikat shkrimore të nxjerra nga nënshkrimet modele krahasimi po në emër Luan Veliqoti nga ekzaminimet krahasuese të kryera karakteristikave shkrimore, u arrit në konkluzionin se Nënshkrimi i Prof. As. Dr. Luan Veliqotit, plotësuar poshtë rubrikës -DREJTOR në dokumentin LISTE – NOTASH, më datë 25.07.1999, emër Arjan Xhevit Hoxha, të Akademisë Rendit Publik objekt ekspertimi, nuk është shkruar nga Luan Veliqoti”, thuhet në përgjigjen e kryekomisar Dritan Zotos drejtuar drejtorit të Përgjthshëm të Policisë së Shtetit aso kohe, Artan Didi.

Si mashtroi Këlliçi me diplomën?
Këlliçi nuk është pajisur kurrë me diplomën e shkollës së mesme, gjë që e konfirmon edhe Instituti “Harry Fulz” dhe Ministria e Arsimit. Kjo konfirmohet edhe nga numri i amzës së shkollës së mesme, me anë të së cilës vërtetohet se ai nuk e ka mbaruar ciklin e plotë 5 vjeçar, pasi në regjistër ka një shënim ku thuhet “është larguar jashtë shtetit” në vitin 2004-2005.

Por, skandali thellohet edhe më shumë pasi Belind Këlliçi ka kryer njësim të paligjshëm të diplomës universitare, pas kthimit nga SHBA. Kjo ka ndodhur në vitin 2010 kur Ministria e Arsimit drejtohej nga qeveria e Sali Berishës dhe nuk dihet nëse dikush ka mbyllur një sy apo Këlliçi ka mundur që të mashtrojë komisionin, njësoj siç bëri edhe me universitetin amerikan.

Çfarë ka ndodhur? Njësimi i paligjshëm i diplomës universitare nga ana e Ministrisë së Arsimit qëndron në faktin se një diplomë universitare “Bachelor”, niveli 6 i kualifikimit, sipas Kornizës Shqiptare e Kualifikimeve, është njohur si “master i shkencave”, niveli i 7 i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, në kundërshtim me ligjin nr. 10247/2010 “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve”, (sipas të cilit, të kesh akses në nivelin 6 të kualifikimit duhet të kesh përfunduar nivelin 4 të kualifikimeve) dhe ligjin nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” (neni 92 i tij). Këlliçi nuk rezulton të ketë diplomë të shkollës së mesme, e për rrjedhojë nuk ka si të kryhet njësimi i diplomës universitare.

Nga ana tjetër, nga dokumentacioni i siguruar nga Ministria e Arsimit lidhur me këtë çështje, Këlliçi ka deklaruar përpara komisionit të njësimit të diplomës (deklarata e depozituar prej tij në MAS) se kriteri hyrës në Universitetin që ai ka përfunduar studimet është “përfundimi i shkollës së mesme”. Ky fakt konfirmohet edhe nga një hulumtim në faqen zyrtare të “Coppin University”, ku sipas saj, kriteri minimal hyrës në këtë universitet është pikërisht “përfundimi i shkollës së mesme”.

Në vitin kur Belind Këlliçi është regjistruar në “Coppin University” (2005), vëllai i tij punonte pikërisht në zyrën e pranimeve të studentëve të universitetit amerikan. Ka dyshime të forta se ka qenë pikërisht vëllai i tij, i cili nëpërmjet ndërhyrjes së tij, e ka ndihmuar të regjistrohet lehtësisht në këtë universitet, pa e pasur diplomën e shkollës së mesme.