Nga Kujtim Xhaja/
Ditë e shtunë, sapo kam dale nga puna, ora 21:00, rrugët bosh, një qetësi mbytëse, gati-gati e frikshme…Mu kujtua e njëjta situatë si në pandemi, ku nuk shikoje këmbë njeriu ne trotuar, asnjë makinë në rrugë. C’të ketë ndodhur vallë?C’ka ngjarë?-pyesja me vete.
Pastaj më erdhi në mend se në të vërtetë asgjë e jashtëzakonshme nuk kish ngjarë: thjesht atë ditë njerëzit ishin mbërthyer, ishin gozhduar pranë ekranit të televizorit për të parë episodin e rradhës së spektaklit”:”Big Brother Vip”. Të një shoë-reality që ka bërë për vete me mijëra shqiptarë jo brenda vendit, por në diasporë edhe më gjerë tij. E sikur mos të mungonte vetëm e shtuna dhe e marta, por ai program na është bërë një pjesë e pandashme e përditshmërisë tonë.
Në punë diskutohet për të, në autobus të dëgjon veshi tek-tuk emrin e ndonjë personazhi të përfshirë, rrjetet sociale janë bombarduar vetëm me historinë rozë të dy personazheve të njohur, Kiara dhe Luiz. Para se të shkoja në shtëpi, i ndala këmbët tek supermarketi i lagjes për të bërë disa blerje, por edhe aty po diskutohej një temë e nxehtë nga shfaqja, saqë edhe shitësja nuk e kish mendjen fare se cfarë po i kërkoja, vëmendja e saj ish fokusuar plotësisht mbi përmbledhjen ditore te spektaklit.
Një shikueshmëri e paimagjinueshme, një përfshirje e jashtëzakonshme dhe një kuriozitet i pamatë për këtë format, gati-gati e krahasueshme kjo me shikueshmërinë e një finaleje europiani apo botërori.Ky nuk është një fenomen që ndodh rëndomtë vetëm tek ne, mos harrojmë që i njëjti format po transmetohet njëkohësisht në fqinjin tonë, Itali dhe në disa vende të tjera ku, e njëjta patentë funksionon dhe prodhon përmbajtje, por ende nuk kam bërë një studim për të parë përfshirjen edhe te popujve të tjerë kundrejt këtij programi.
Po pse gjithë ky interes, pse gjithë kjo kërshëri dhe kuriozitet për të ndjekur 24/24 jetën e disa personazheve te “deklaruar” si VIP? Sot kohërat kanë evoluar dhe mjetet, teknologjia ka ndryshuar. Bashkë me të ka ndryshuar edhe sjellja njerëzore. Që nga fillesa e njerëzimit si Homo Erectus e më pas ne Homo Sapiens, në ditët e sotme po diskutohet shumë mbi termin HomoVidens. Pra njeriu i sotëm nuk është më njeriu i intelektit, mëndjes por ka kaluar në një plan shqisor: atë të të parit, pra të jetuarit përmes të parit. Shikimi dhe ndijimi, kuptimi, perceptimi nëpërmjet të të parit merr një rol kryesor. E keni menduar se sa orë shpenzojmë nga jeta jonë vetëm duke parë tv, Tik-Tok, Youtube, reels dhe story?!
Atë cka e kish parashikuar edhe studiuesi Giovanni Sartori shumë kohë më parë. Pak a shumë mund të themi se si shoqëri kemi bërë disa hapa mbrapa duke shkuar dita-ditës gjithmonë e më shumë drejt sensacionit, gossip-it, shfaqjeve dhe spektakleve, duke përmbushur kështu vetëm nevojat argëtuese, të cilat në fund të fundit janë shumë sipërfaqësore. Kemi shkuar mbrapa në kohë, njësoj si ato turmat e uritura të mijëvjecarit të shkuar, në kohën e perandorisë Romake, të cilat ishin të etura për pak spektakël, ishin të etura për një përleshje, kacafytje, përgjakje me gladiatorë. Jemi kthyer si shoqëri, fatkeqësisht si shoqëria e Romës së lashtë, e cila, e kishte këtë si mënyrën e vetmë të argëtimit. Ndodh e njëjta filozofi, kulturë shfrytëzimi dhe mjerimi, por sot kjo “përleshje”, “përgjakje”, “kacafytje” na serviret në një pjatë moderne, gati për tu konsumuar në një mënyrë më të moderuar, nëpërmjet mjeteve masive të komunikimit.
Jemi kthyer në një shoqëri të spektaklit, një shoqëri të duartrokitjeve në kor, një shoqëri e talljes dhe bullizmit nëpërmjet komenteve, sharjeve dhe vrerit që nxjerrim ne rrjetet sociale. Vetëm me anë të këtyre manovrave, ne identifikohemi me shumën, bëhemi njësh me të dhe nuk kemi identitet. Shfaqje dhe realizime te tilla, të cilat përsëriten vit për vit në televizion, njësoj sic përsëriten festat, zakonet dhe traditat tona, nuk bëjnë gjë tjetër vec na i rrënjosin akoma më shumë antivlerat dhe pseudovlerat që përcjellin formate të tilla. E gjitha në kuadër të një loje fitimprurëse, e cila herë- herë tregohet e pashpirt, e cila të kujton paktin e famshëm me Mistofelin për të shitur shpirtin. Edhe ato personazhe qe bëhen pjesë e kësaj shtëpie, medoemos që e kanë bërë një pakt me djallin edhe me veten e tyre në rradhë të parë. E kanë bërë këtë pakt me “djallin” për tu bërë pjesë e një kompromisi të pashmangshëm, për të bërë disa veprime që mbase nuk do ua kishte ënda për ti bërë ne realitet. Sepse në fund të ditës kjo lojë të tjetërson dhe të modifikon ty si njeri, si sjellje, si botëkuptim.
E ky është cmimi i kripur që duhet të paguar për tu servirur në masë të gjerë që të bëhesh pjesë e industrisë fitimprurëse të shoët dhe argëtimit dhe nga ana tjetër njerëzimi është kthyer në një mjet për të arritur këtë qëllim, në një mjet pasiv që duartroket dhe dalëngadalë jemi kthyer në shoqërinë e spektaklit shoët dhe duartrokitjes…