Përgjatë ditës së djeshme, mediat pranë opozitës nxituan të publikonin një artikull të IFIMES, Institutit të Studimeve Ballkanike, që Shqipërinë e konsideronte një kartel droge.
Por çfarë është ky Institut që vazhdimisht nxin Shqipërinë në gjuhë të huaj përmes shkrimeve që nuk kanë asnjë lidhje me analizën dhe evidencat faktike?
Zijad Bećirović, drejtori i IFIMES me qendër në Lubjanë, është një ish-banor i Brckos, qytet në Bosnje, partner i ngushtë biznesi i Dragan Pajiç, ish-kryebashkiaku i Brckos, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe rryshfet.
Pajiç është arrestuar në aksionin “Bingo”, i cili kishte për qëllim luftën ndaj korrupsionit, por IFIMES më parë e kishte nderuar Pajiçin me çmimin për kryetarin më të mirë në Bosnje Hercegovinë.
“Eksperti” Bećirović nuk ka hequr kurrë dorë nga punët e pista të biznesit, pasi bashkëpunoi ngushtë me doktor Edvin Dervisheviqin, i cili merret me biznese të çuditshme. Sipas mediave boshnjake, ata u përpoqën të ndërtonin Universitetin Slloven në Brcko, por ai Universitet ishte më shumë objekt ndërtimor se sa objekt arsimor. Sipas projektit, duhej të rinovoheshin vetëm sallat e ish-industrisë “Interplet” dhe për këtë, dy miqtë kërkuan 20 milionë euro, teksa vlera reale e projektit, thonë ekspertët, është pesë milionë. Kuvendi i ndërpreu këto marrëzi. Ky ishte pastrimi i fundit i parave dhe mundimi i madh i vetë Pajiqit dhe Bećirović.
Me IFIMES-in e tij, ai u përpoq të sulmonte edhe politikanët në Mal të Zi, si rasti i Milo Gjukanoviç, por mediat në Mal të Zi e ekspozuan si një “mashtrues ordiner”.
Flitet se sot në Slloveni, Bećirović është nën vëzhgimin e policisë vendase, pasi siç pretendohet ka lidhje të ngushta me qarqet radikale islamike.
Ka dyshime se si dhe me çfarë parash financohet instituti i tij i supozuar, i cili nuk ka asnjë referencë shkencore, por është sipas meidave boshnjake, një levë e zakonshme në duart e Zijad Bećirović.
Në anë tjetër, Bećirović është shfaqur shpesh në Tiranë për takime kokë më kokë me Ilir Metën dhe Sali Berishën. Madje ky i fundit është marrë publikisht në mbrojtje në faqen e institutit të Bećirović, ku shkruhet se ai u shpall nongrata nga SHBA pa prova e fakte.